Fatjon Cuka
15 Mars 2017•Përditësim: 16 Mars 2017
TIRANË (AA) - Policia në Shqipëri gjatë tre viteve të fundit ka arrestuar mbi 3 mijë shtetas për armëmbajtje pa leje, raporton Anadolu Agency (AA).
Në Tiranë është organizuar sot tryeza e diskutimit me temë "Nevoja për angazhim të gjithanshëm për të arritur grumbullimin maksimal të armëve", për të trajtuar problematikat e nismës për mbledhjen e armëve në vend, ku mbajti një fjalë edhe ministri i Brendshëm në detyrë, Saimir Tahiri.
"Statistika e armëmbajtjes pa leje është më shumë se tragjike në Republikën e Shqipërisë. Vetëm Policia e Shtetit në tre vitet e fundit ka arrestuar mbi 3 mijë shtetas shqiptarë për armëmbajtje pa leje. Është shumë krahasuar me çdo vend të botës. Këtu flas për vendet që kanë një minimum të standardit të shtetit ligjor dhe demokracisë, jo për vende që janë në luftë apo kaos total. Por të arrestosh më shumë se 3 qytetarë në ditë për armëmbajtje pa leje, dhe kjo për 3 vite rresht, nga njëra anë tregon përmasën e problemit që kemi. Dhe nga ana tjetër domosdoshmërinë që duhet t’i vëmë vetes përpara për ta zgjidhur këtë problem", u shpreh Tahiri.
Sipas ministrit të Brendshëm të Shqipërisë, nisma për grumbullimin e armëve do të vazhdojë edhe në muajt në vazhdim.
Gjithashtu, sipas tij, eksperienca ka treguar se ne "duhet të fillojmë të thyejmë modelin që kemi kalitur gjatë dekadave të fundit, dhe të ndërtojmë modelin që duam si referencë permanente për të rinjtë dhe për fëmijët tanë."
Kujtojmë se në Shqipëri gjatë muajve të fundit ka filluar fushata kombëtare për grumbullimin e armëve, ku nuk do të ketë dënime për personat që i dorëzojnë armët vullnetarisht.