Sibel Vezaj
15 Mars 2017•Përditësim: 16 Mars 2017
PRISHTINË (AA) - Nën organizimin e Grupit të Grave Deputete të Kuvendit të Republikës së Kosovës dhe mbështetur nga Programi për Zhvillim të Kombeve të Bashkuara në Kosovë (UNDP), sot në Kuvendin e Kosovës u mbajt seanca me pjesëmarrjen e mbi 100 asambleisteve nga komuna të ndryshme të Kosovës, në të cilin u diskutua për barazinë gjinore, raporton Anadolu Agency (AA).
Seancën e hapi Blerta Deliu, kryesuese e Grupit të Grave Deputete të Kuvendit të Kosovës e cila duke rikujtuar që në vitin 2015 Kuvendi ka miratuar ligjin për barazi gjinore, i cili paresh 50 me 50 për qind përfaqësim të gruas në institucionet e Republikës së Kosovës, tha se raportet thonë që ky ligj nuk po gjen zbatim as në institucionet qendrore e as në ato lokale. Për shkak të përfaqësimit të ulët të grave, sipas Deliut nuk mund të ketë trajtim adekuat të çështjeve që lidhen me mirëqenien grave dhe të familjeve.
“Pjesëmarrja aktive e gruas në politika lokale ka impakt të drejtpërdrejt në mirëqenien e tyre, duke e rritur efikasitetin, duke ndikuar në rritjen e llogaridhënies dhe po ashtu duke ndikuar edhe në rritjen e transparencës së komunës, e kjo dëshmohet më së miri me angazhimet konkrete, me iniciativa të shumta të cilat i kanë marrë asambleistet gjatë mandatit të tyre”, tha Deliu.
Duke vënë në dukje se në numrin total të shërbyesve civil 41 për qind llogaritet të jenë gra, shqetësuese në këtë aspekt sipas saj është ajo që në pozita drejtuese janë vetëm 5.2 për qind të grave.
Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli gjatë fjalimit të tij tha se Kosova ka nevojë përfaqësim më të fuqishëm të grave në institucione. Ai theksoi se kjo çështje ka rëndësi thelbësore për vet zhvillimin e vendit, duke vënë në dukje se fuqizimi i grave është një proces nga i cili varen të gjitha proceset tjera vitale si zhvillimi ekonomik, edukimi i të rinjve dhe vetë demokratizimi i shoqërisë në përgjithësi.
“Është një parim i njohur se nuk mund të ketë shoqëri të emancipiuar pa emancipimin e grave, por që të arrihet ky emancipim na duhen politika të zgjatura dhe të vendosura të cilat nxisin dhe stimulojnë marrjen e përgjegjësisë së grave në shoqërinë tonë. Në radhë të parë duhet ta kemi të qartë se barazia gjinore nuk është çështje e retorikës së politikës sonë ditore, barazia gjinore është interesi thelbësor kombëtar dhe strategjik i shoqërisë sonë që aspiron zhvillimin dhe ecjen përpara në proceset euro-atlantike”, tha Veseli.
Kurse, Alessandra Roccassalvo, zëvendëse e përfaqësuesit të përhershëm të UNDP-së në Kosovë tha se përkundër problemeve të barazisë gjinore, Kosova sot është shteti me numrin më të madh të asambleisteve në rajon. Sipas saj ligjet e miratuara në Kosovë janë fillimi dhe pikënisja për ndryshim.
“Kosova po ashtu ka bërë një hap shumë të rëndësishëm me ligjin 50/50 për barazi gjinore, sepse kështu fillon por poashtu ka nevojë të punojë në implementimin e këtyre ligjeve. Pa këto ne nuk mund të angazhohemi”, tha Roccassalvo.
Kurse kryetarja e posazgjedhur e komunës së Preshevës, Ardita Sinani vuri theksin në pavarësinë financiare të femrës. Sipas saj realizimi i plotë i buxhetimit gjinor është fitorja e radhës për barazinë gjinore, e cila garanton sigurimin e planifikimit të barabartë mes gjinive në të cilin do të diskutohet për buxhetimin gjinor.