Fatjon Cuka
15 Mars 2017•Përditësim: 16 Mars 2017
TIRANË (AA) - Në orët e paradites së sotme nga punonjësit e institucionit është raportuar se ka rënë zjarr në ambientet e Bibliotekës Kombëtare në Tiranë, raporton Anadolu Agency (AA).
Mësohet se zjarri ka përfshirë ambientet e katit të nëndheshëm të këtij institucioni, ndërsa forcat e zjarrfikëses kanë punuar disa orë që zjarri të mos përhapet në ambiente të tjera, duke e izoluar.
Ndërkohë punonjësit e Bibliotekës Kombëtare kanë dalë në ambientet e jashtme për shkak të problemeve të shkaktuara nga tymi, ndërsa një punonjës i zjarrfikëses së Tiranës dhe një punonjës i Bibliotekës Kombëtare janë lënduar lehtë, për shkak të asfiksimit nga tymi.
Drejuesit e Ministrisë së Kulturës kanë bërë të ditur se si pasojë e zjarrit janë djegur disa libra që i parkasin periudhës para vitit 1990.
Policia akoma nuk ka dhënë ndonjë version zyrtar për shkaqet e zjarrit, ndërsa dyshohet se mund të jetë shkaktuar nga rrjeti elektrik.