Fatjon Cuka
22 Nëntor 2016•Përditësim: 23 Nëntor 2016
TIRANË (AA) - Në Tiranë është mbajtur konferenca përmbyllëse e projektit “Mbështetje për Bujqësinë dhe Zhvillimin Rural” mundësuar nga Bashkimi Evropian, Qeveria Shqiptare dhe Qeveria Federale e Gjermanisë, raporton Anadolu Agency (AA).
Pjesë e konferencës ishin ministri shqiptar i Bujqësisë, Zhvillimit Rural dhe Administrimit të Ujërave, Edmond Panariti, ambasadorja e Bashkimit Evropian në Shqipëri, Romana Vlahutin, ambasadorja e Republikës Federale të Gjermanisë, Susanne Schütz dhe përfaqësues të disa ministrive në vend.
Ministri Panariti gjatë fjalës së tij u shpreh se me ndihëm e Bashkimit Evropian kanë përfituar dhjetëra fermerë. Sipas tij, kjo ndihmë ka ndikuar në zhvillimin e bujqësisë shqiptare. Panariti gjithashtu ka theksuar se do të mbështesin fermerët për rritjen e prodhimeve bujqësore.
Në konferencë u theksua se gjatë zbatimit të projektit strukturat përgjegjëse për bujqësinë dhe zhvillimin rural në Shqipëri patën mundësinë që të trajnohen me qëllim ngritjen dhe forcimin e një sistemi administrativ dhe kontrolli në përputhje me kërkesat e BE-së, ndërsa fermerët patën mundësinë që të aplikojnë për marrjen e granteve për kryerjen e investimeve me qëllim modernizimin e veprimtarive të tyre.
Sipas të dhënave të Delegacionit të Bashkimit Evropian gjatë katër viteve të fundit BE-ja dhe Qeveria Federale Gjermane kanë dhënë mbështetje për zhvillimin e sektorit agro-ushqimor në Shqipëri me qëllimin që ky sektor të transformohet në një sektor konkurrues, i aftë për të gjeneruar punësim dhe të ardhura. Në këtë sektor është e angazhuar përafërsisht 50 për qind e fuqisë punëtore të Shqipërisë.