Besar Ademi
30 Shtator 2018•Përditësim: 30 Shtator 2018
SHKUP (AA) - Sipas të dhënave të para të Komisionit Shtetëror Zgjedhor (KSHZ), nga 49,33 për qind e të dhënave të përpunuar 90,81 për qind apo 234.977 qytetarë të vendit janë prononcuar “për” në referendumin që parasheh ndryshimin e emrit dhe anëtarësimin e vendit në NATO dhe në Bashkimin Evropian (BE), raporton Anadolu Agency (AA).
Në të dhënat e para të publikuara në faqen e internetit të KSHZ-së, “kundër” janë prononcuar 6,18 për qind apo 16.601 qytetarë, ndërsa të pavleshme janë shpallur 3,01 për qind apo 8.080 vota nga numri i përgjithshëm i të dhënave të përpunuara nga ky institucion.
Në konferencën e fundit për media, KSHZ bërë të ditur se jehona e votuesve deri në orën 18:30 ishte 34,09 për qind apo 519.435 qytetarë të cilët shfrytëzuan të drejtën e votës.
Gjithsej 1.806.836 qytetarë të Maqedonisë me të drejtë vote kishin mundësnëi të shfrytëzojnë të drejtën e tyre të votës nga ora 07:00 deri në orën 19:00.
Pyetja e referendumit, që është i treti me radhë në nivel shtetëror në 27 vite të pavarësisë së Maqedonisë, është “A jeni për në NATO dhe BE me pranimin e marrëveshjes midis Maqedonisë dhe Greqisë”.
Që referendumi të kalojë i suksesshëm, pjesëmarrja e votuesve duhet të jetë mbi 50 për qind nga numri i qytetarëve të regjistruar në listën e votuesve.
Referendumi është konsultativ dhe ligjërisht nuk është i detyrueshëm. Megjithatë, qeveria maqedonase deklaroi se rezultati i referendumit do të konsiderohet i detyrueshëm. Në rast të një rezultati pozitiv të referendumit, vendimi përfundimtar për marrëveshjen me Greqinë do të miratohet nga Kuvendi i Maqedonisë, ku për ndryshime kushtetuese do të nevojitet vota e dy të tretave të deputetëve.
Ky referendum vjen pas marrëveshjes në qershor midis Maqedonisë dhe Greqisë, e cila parasheh ndryshimin e emrit të shtetit në Republika e Maqedonisë së Veriut dhe paraqet kushtin kryesor për anëtarësim të vendit në NATO dhe çeljen e negociatave me BE-në.
Pas përfundimit të procesit të zbatimit të marrëveshjes në Maqedoni, nevojitet që marrëveshja të ratifikohet nga Parlamenti grek.