Figen Shaban
26 Tetor 2017•Përditësim: 26 Tetor 2017
PRISHTINË (AA) – Kryetari i Kuvendit të Republikës së Kosovës, Kadri Veseli sot priti në takim Sekretaren e Përgjithshme të Shërbimit Evropian për Veprim të Jashtëm (SHEVJ), Helga Schmid, e cila po qëndron në vizitë zyrtare në Kosovë, raporton Anadolu Agency (AA).
Në një njoftim nga Kuvendi i Kosovës bëhet e ditur se gjatë këtij takimi, i cili ishte i mbyllur për media, kryeparlamentari Veseli dhe Sekretarja e Përgjithshme të Shërbimit Evropian Schmid kanë biseduar për reformat e shumta që po bëhen në vend në shumë sektorë, të cilat përshpejtojnë rrugën e Kosovës në integrimin evropian.
Veseli ka vlerësuar mbeshtetjen që Bashkimi Evropian ka dhënë dhe po jep për Kosovën në shumë fusha, në veçanti për një funksionim më efikas të Kuvendit.
Ai ka thënë se dinamika e punës dhe transparenca e Kuvendit të Kosovës do të rriten në vazhdimësi si dhe ka shtuar se ka një përkushtim të theksuar për të ndërtuar një konsensus të plotë për shumë çështje të rëndësisë së veçantë për vendin.
Kryeparlamentari Veseli ka theksuar se qytetarët e Kosovës e meritojnë liberalizimin e vizave, duke shtuar se për këtë do të ketë angazhim maksimal dhe koordinim të plotë me Bashkimin Evropian.
Ndërsa Sekretarja Schmid ka vlerësuar punën e Kuvendit në miratimin e shumë reformave legjislative. Ajo ka thënë se BE-ja do të mbeshtesë Kosovën në rrugën e saj të integrimit.
Shmid sot zhvilloi takime me Presidentin e vendit Hashim Thaçi dhe kryeministrin Ramush Haradinaj. Ndërsa gjatë vizitës së saj do të takohet me përfaqësuesit e partive opozitare.