Zülfiya Yakup
05 Shkurt 2017•Përditësim: 05 Shkurt 2017
PRISHTINË (AA) – Për sot është paralajmëruar prishja e murit në veri të Mitrovicës, pasi dje përfundimisht u arrit marrëveshje mes Qeverisë së Kosovës dhe përfaqësuesve politik serbë për zgjidhjen e problemit të murit kontestues afër urës në Ibër, në pjesën veriore të qytetit, raporton Anadolu Agency (AA).
Këshilltarët e Kuvendit Komunal të Mitrovicës Veriore njëzëshëm miratuan marrëveshjen, të cilën kryetari i kësaj pjesë të qytetit Goran Rakiç nënshkroi me ministrin e Mjedisit Jetësor dhe Planifikimit Hapësinor, Ferat Shala.
Garantues të marrëveshjes janë kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa, shefja e Zyrës së Bashkimit Evropian (BE) në Kosovë, Natalia Apostolova dhe ambasadori i SHBA-ve në Kosovë, Greg Delawie.
Pas rrënimit të murit, që nxiti shumë tensione, sipas kryetarit Rakiç të hënën ose të martën fillon përpilimi i një zgjidhjeje të re projektuese. Ai theksoi se do të ndërtohet kaskadë me lartësi prej 70 centimetrave, dy metra prapa murit të tanishëm dhe se do të shërbejë si mbrojtje nga automjetet të cilët nuk do të mund të kalojnë në pjesën e këmbësorëve e cila tani rregullohet në rrugën kryesore "Mbreti Petar", në Mitrovicën Veriore.
Sipas Rakiç parashihet që njërën pjesë të zonës së këmbësoreve të vendosen 6 shtylla çeliku, të cilat do funksionojnë me telekomandë, që do të jetë në duar të ndihmës së shpejtë dhe shërbimeve zjarrfikëse nga Mitrovica Veriore.
Autoritetet lokale serbe në Mitrovicë në kuadër të punëve të rivitalizimit të urës sipas projektit të Bashkimit Evropian, në fillim të muajit dhjetor të vitit 2016 ndërtuan mur afër urës në Ibër të lartë rreth 2 metra, që shkaktoi reagime të shumta në Prishtinë. Deputetët e Kuvendit të Kosovës para përfundimit të vitit miratuan një rezolutë me të cilën nga Qeveria e Kosovës kërkohet që deri në fund të janarit të vitit 2017, ai të rrënohet.
Pas tensioneve rreth murit, vijoi ashpërsimi i mëtejshëm i marrëdhënieve mes Prishtinës dhe Beogradit, për shkak të ndalimit të liderit të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj në Francë me fletarrest nga Serbia, si dhe për shkak të trenit me shënime nacionaliste të cilin Beogradi dëshiroi ta dërgojë në Mitrovicën Veriore.
Ndërkohë vijuan dy takime në afat prej një jave, të nivelit të lartë politik mes krerëve kosovarë dhe atyre serbë dhe përfaqësueses së Lartë të BE-së, Federica Mogherini në Bruksel, ku u bisedua për uljen e tensioneve, si dhe për mundësinë e zgjidhjes së situatës rreth murit kontestues në Mitrovicë.
Pas takimit të fundit të mbajtur më 1 shkurt, kryeministri i Serbisë Aleksandar Vuçiç në Rashkë u takua me përfaqësuesit e serbëve të Kosovës dhe atëherë njoftoi se kryetari Rakiç ka rënë dakord që të prishet muri.
Urën në lumin Ibër, pas luftës fillimisht e kanë ruajtur të ashtuquajturit roja serbe e urës, më pas ushtarët e KFOR-it, më pas UNMIK-u dhe policia e Kosovës. Më pas disa vite ura ka qenë plotësisht e bllokuar me barrierë të betonit të cilën e vendosën serbët lokalë për të pamundësuar shqiptarët që me automjete të hyjnë në pjesën veriore të Mitrovicës.
Pas marrëveshjes së Brukselit për normalizimin e marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë më 19 prill të vitit 2013, u dakordua heqja e të gjitha barrikadave në veri të Kosovës, por edhe barrikadat në urë. Megjithatë, menjëherë pas heqjes së betonit, serbët lokalë me një vendim të njëanshëm në urë vendosën të ashtuquajturën “Parku i paqes”. Kjo nuk i pëlqeu Prishtinës zyrtare dhe ura sërish u bë temë dialogu në Bruksel. Përfundimisht më 25 gusht të vitit 2015 me ndërmjetësim të BE-së, Prishtina dhe Beogradi arritën marrëveshje për rivitalizimin e urës kryesore në Ibër, ku parashihet lëshimi i urës për qarkullim, por edhe ndërtimi i zonës për këmbësorët menjëherë pas urës nga ana veriore.