Agim Sulaj
28 Maj 2019•Përditësim: 29 Maj 2019
Instituti i Kosovës për Drejtësi (IKD) ka publikuar të martën raportin “Pavarësia, efikasiteti, llogaridhënia dhe integriteti i Këshillave: Raport i monitorimit sistematik të Këshillit Gjyqësor dhe Këshillit Prokurorial - (janar-mars 2019)”, raporton Anadolu Agency (AA).
Gzim Shala nga IKD, tha se Këshilli Gjyqësor i Kosovës (KGjK) dhe Këshilli Prokurorial i Kosovës (KPK) janë përballur me mungesë efikasiteti, llogaridhënie dhe integriteti në ushtrimin e përgjegjësive kushtetuese dhe ligjore.
“Përgjithësisht mund të themi se nuk ka progres në punën e Këshillit Gjyqësor dhe Këshillit Prokurorial. Për më tepër gjatë këtij tremujori të këtij viti, si Këshilli Gjyqësor i Kosovës ashtu edhe Këshilli Prokurorial i Kosovës janë përballur me mungesë efikasiteti, llogaridhënie dhe integriteti”, tha Shala.
Siç tha ai, KGjK dhe KPK kanë dështuar në miratimin e legjislacionit sekondar që ka qenë obligim nga ligjet e kaluara, ku kanë mbetur një numër i madh i rregulloreve që kanë qenë obligative nga 2015 të miratohen dhe ende nuk janë miratuar. Sipas legjislacionit primar dhe sekondar, KGJK dhe KPK obligohen që çdo tre muaj të ftojnë kryetarët e Gjykatave, respektivisht kryeprokurorët e Prokurorive për të raportuar para anëtarëve të këshillave.
Drejtori i IKD-së, Ehat Miftataj ka folur për rastin e përfolur së fundmi të fajdeve, ku disa persona shihen në një video duke marrë para dhe duke u thirrur në emrin e kryeparlamentarit të Kosovës, Kadri Veseli.
Miftaraj, për këtë rast të cilin kryeparlamentari Veseli e quajti “bombë të eksploduar në një moment të caktuar”, tha se ka treguar dështimin e sistemit të drejtësisë në vend.
“Rasti i fajdeve është rasti më prezentativ që e dëshmon dështimin e sistemit të drejtësisë, respektivisht KGjK-së dhe KPK-së. Nëse bëjmë analizë se si është trajtuar ky rast nga 2013, se si institucionet e drejtësisë i kanë ofruar pandëshkueshmëri të plotë personave të përfshirë, e dëshmon lidhjen e grupeve të interesit dhe grupeve kriminale me sistemin e drejtësisë, policinë, prokurorinë dhe gjykatat”, tha Miftaraj.
Sipas raportit, një numër i caktuar i rregulloreve dhe një numër shumë i madh i vendimeve të miratuara nga KGJK dhe KPK gjatë tremujorit të parë të vitit 2019 nuk janë bërë publike në faqet zyrtare. Në këtë drejtim, sa i përket vitit 2018, në faqen zyrtare të KPK-së nuk figuron asnjë vendim, derisa vetëm 37.73 për qind e vendimeve që KPK ka marrë gjatë tremujorit të parë të vitit 2019 janë publikuar në faqen zyrtare të saj.