Dzihat Aliju
16 Janar 2025•Përditësim: 17 Janar 2025
Ministri për Çështje Evropiane i Maqedonisë së Veriut, Orhan Murtezani, mbajti një fjalim në panelin e titulluar "Maqedonia e Veriut, në rrugën drejt Bashkimit Evropian (BE)" i organizuar në Ankara nga Fondacioni për Kërkime Politike, Ekonomike dhe Sociale (SETA), raporton Anadolu.
Në fjalën e tij, Murtezani theksoi se kultura, gjuha dhe tradita e pasur e Türkiyes ka një kuptim të thellë jo vetëm për të, por edhe për shumicën dërrmuese të popullit të Maqedonisë së Veriut. Ai kujtoi se Türkiye është një ndër vendet e para që ka njohur pavarësinë e Maqedonisë së Veriut.
"Nga bashkëpunimi ynë aktual brenda NATO-s e deri te integrimi evropian, Türkiye ka dëshmuar gjithmonë se është një aleat i besueshëm dhe një partner solid", tha Murtezani.
Në këtë periudhë kur aleancat globale po ndryshojnë dhe trazirat gjeopolitike po shtohen, theksoi Murtezani, një partneritet midis Türkiyes dhe vendeve të Ballkanit është "jo vetëm kuptimplotë, por edhe i domosdoshëm".
Duke folur për integrimin e vendit të tij në BE, Murtezani tha se kjo nuk është vetëm një synim strategjik, por edhe përbën misionin përforcues të stabilitetit të demokracisë dhe prosperitetit në rajon.
"Ne po ecim përpara pa hequr dorë nga angazhimi ynë për të përfunduar reformat që do të na afrojnë pranë integrimit. Megjithatë, ne besojmë se vendosmëria që kemi treguar në këto përpjekje duhet të jetë reciproke nga BE-ja me të njëjtin nivel përkushtimi dhe vendosmërie. Ky proces duhet të jetë një rrugë me dy kahje, kërkesat dhe përpjekjet tona duhet të përmbushen me hapa konkretë dhe një vullnet të qartë politik në BE", theksoi Murtezani, duke potencuar se kështu perspektiva evropiane për vendet e Ballkanit dhe përtej mund të bëhet e besueshme dhe e arritshme.
Sipas tij, udhëtimi i Maqedonisë së Veriut dhe i Türkiyes në këtë drejtim "ka demonstruar qëndrueshmëri të paprecendtë".
"Maqedonia e Veriut është një shembull si një vend që ka demonstruar vazhdimisht përkushtimin e saj të palëkundur ndaj projektit evropian. Por për fat të keq ne jemi ende duke bërë një pritje të pasigurt në dhomën e pritjes së BE-së", theksoi ai.
Ky proces i gjatë dhe i lodhshëm, theskoi Murtezani, ka testuar durimin jo vetëm të institucioneve vendore, por edhe të popullit.
Pas fjalimit, nën moderimin e Mehmet Ugur Ekinci nga SETA, bashkëbisedimi vazhdoi në një panel ku ministri Murtezani iu përgjigj pyetjeve të publikut.