Ekip
14 dhjetor 2019•Përditësim: 17 dhjetor 2019
Atmosfera festive në kryeqytetet e vendeve të rajonit tashmë ka filluar, ndërkohë që sheshet kryesore janë stolisur me drita të shumëllojshme dhe me pemën e madhe tradicionale që tërheq interesin e shumë qytetarëve, raporton Anadolu Agency (AA).
Në qendrën e qytetit të Shkupit vërehet një frekuentim më i madh i qytetarëve të cilët shijojnë dekorimet për festat e fundvitit, pemën tradicionale të Krishtlindjeve dhe Pazarin e Vitit të Ri, të gjitha të vendosura në sheshin “Maqedonia”.

Në këtë pjesë të sheshit të emëruar “Winterland 2020” është vendosur edhe një skenë e vogël, ku çdo ditë do të ketë ngjarje për të tërhequr interesin e të gjithë qytetarëve, pavarësisht nga mosha.
Në Shkup me drita të ndryshme janë stolisur edhe lokalet private, të cilat japin pamje të dukshme se atmosfera festive e festave të fundvitit tashmë ka filluar.
Kryeqyteti i Kosovës, Prishtina, është stolisur me dekorime të ndryshme, të cilat tregojnë se atmosfera festive ka filluar edhe në këtë qytet. ( Erkin Keçi - Anadolu Agency )
Ndërkohë mes dhimbjes që shkaktoi tragjedia e tërmetit të 26 nëntorit në Shqipëri, në qytetet e këtij vendi atmosfera festive për festat e fundvitit ka filluar.
Në Tiranë, institucionet lokale kanë stolisur me drita të shumëllojshme qendrën e qytetit, sheshin “Skënderbeu”, bulevardin "Dëshmorët e Kombit", por edhe në zona të tjera. Bashkia e Tiranës ka vendosur edhe pemën e madhe tradicionale në qendër të kryeqytetit, e cila tërheq interesin e shumë qytetarëve.

Edhe pse në një mënyrë pak më të vakët se vitet e kaluara për shkak të tragjedisë së tërmetit, dekori për festat është realizuar edhe në qytetet e tjera të vendit. Përveç dekorit të përgatitur nga institucionet e ndryshme të vendit, edhe qytetarët kujdesen që të krijojnë një mjedis sa më festiv në shtëpitë e tyre.
Po ashtu edhe kryeqyteti i Kosovës, Prishtina, është stolisur me dekorime të ndryshme, të cilat tregojnë se atmosfera festive ka filluar edhe në këtë qytet.

Komuna e Prishtinës zbukuroi sheshin "Skenderbeu" dhe sheshin "Zahir Pajaziti" me drita të shumëllojshme, derisa dy pemët e mëdha tradicionale po ashtu u vendosën në këto dy sheshe.
Shtëpizat tradicionale prej druri në këto dy sheshe gjithashtu janë pjesë e dekorimeve për festat e fundvitit, të vendosura po ashtu nga Komuna e Prishtinës, ku ofrohen pije të ngrohta dhe ushqim i shpejtë.
Krahas dhjetëra shtëpizave, janë ngritur edhe dy tribuna mbi të cilat do të performojnë këngëtarë për argëtimin e qytetarëve deri në mbrëmjen e 31 dhjetorit të këtij viti.