Agim Sulaj
10 shtator 2021•Përditësim: 11 shtator 2021
Bashkimi Evropian ka vendosur Mision të Vëzhgimit të Zgjedhjeve (MVZ) për të vëzhguar zgjedhjet lokale të planifikuara për 17 tetor 2021 në Kosovë, transmeton Anadolu Agency (AA).
Siç njofton Zyra e BE-së në Kosovë, ky vendim i BE-së vjen pas ftesës që ua ka bërë atyre presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani.
Josep Borrell, përfaqësuesi i Lartë i Bashkimit për Punët e Jashtme dhe Politikat e Sigurisë dhe Nënkryetar i Komisionit Evropian, ka emëruar Lukas Mandl, anëtar i Parlamentit Evropian (PE) shef të Misionit të Vëzhguesve të BE-së 2021 në Kosovë, i cili ka filluar të vendoset në vend nga fillimi i shtatorit.
Borrell tha se BE-ja mbetet e përkushtuar dhe e angazhuar për të mbështetur Kosovën në rrugën e saj evropiane dhe në forcimin e qeverisjes së saj demokratike.
“Për herë të tretë tashmë, ne do të vëzhgojmë zgjedhjet komunale në Kosovë përmes Misionit të BE-së për Vëzhgimin e Zgjedhjeve. Unë besoj se prania e Misionit do të kontribuojë në një proces zgjedhor gjithëpërfshirës, të besueshëm dhe transparent si dhe do të ndihmojë përpjekjet e ardhshme lidhur me reformën zgjedhore. Ne mezi presim të vazhdojmë punën me autoritetet e Kosovës për të forcuar procesin zgjedhor, në përputhje me gjetjet dhe rekomandimet e misioneve tona paraprake”, tha Borrell.
Shefi i Misionit Vëzhgues, Lukas Mandl tha se është i kënaqur që i është besuar përgjegjësia e udhëheqjes së këtij misioni.
“Kam besim se misioni do t'i sjellë vlerë të shtuar procesit zgjedhor. Mezi pres të takohem dhe të angazhohem në terren me autoritetet, partitë politike, kandidatët, shoqërinë civile dhe palët e tjera të interesit që kanë të bëjnë me zgjedhjet", tha Mandl.
Ekipi kryesor i MVZ të BE -së i përbërë nga 10 ekspertë zgjedhorë, mbërriti në Prishtinë më 5 shtator. Ndërsa, në mes të shtatorit, 22 vëzhgues afatgjatë do t'i bashkohen misionit dhe do të vendosen në të gjithë vendin. Misioni do të përforcohet me vëzhgues afatshkurtër gjatë ditës së zgjedhjeve. MVZ-ja e BE-së do të qëndrojë në vend deri në përfundimin e procesit zgjedhor, përfshirë edhe raundin e dytë të mundshëm të zgjedhjeve për kryetar komune më 14 nëntor.
Në përputhje me metodologjinë e vëzhgimit të zgjedhjeve të BE-së, misioni do të lëshojë një deklaratë paraprake dhe do të mbajë një konferencë për media në Prishtinë menjëherë pas zgjedhjeve, ku do të përfshihen rekomandime për proceset e ardhshme zgjedhore.