Husamedin Gina
17 Nëntor 2021•Përditësim: 18 Nëntor 2021
Ministri i Ekonomisë i Maqedonisë së Veriut, Kreshnik Bekteshi, në një konferencë për media njoftoi se Buxheti i vitit të ardhshëm do të jetë 1,24 miliard denarë (rreth 200 milionë euro), duke shtuar se viti 2022 do të jetë vit i rikuperimit ekonomik të vendit dhe përshpejtimit të rritjes ekonomike përmes investimeve, transmeton Anadolu Agency (AA).
Ministri Bekteshi në konferencën online prezantoi buxhetin e Ministrisë së Ekonomisë, duke theksuar se prioritetet kryesore janë krijimi i kushteve për zhvillimin e industrisë, ndërmarrësisë, sigurimin e stabilitetit dhe sigurisë energjetike, si dhe zhvillimin e turizmit përmes përmirësimit të standardeve të ofertës turistike.
Bekteshi rikujtoi se dy vitet e fundit, për shkak të krizës së shkaktuar nga pandemia COVID-19, pjesa më e madhe e buxhetit të ministrisë është orientuar drejt mbështetjes së sektorëve dhe qytetarëve më të prekur nga kriza.
"Viti i ardhshëm 2022 do të jetë vit i rikuperimit ekonomik dhe përshpejtimit të rritjes përmes investimeve. Karakteristika kryesore e buxhetit të shtetit është sigurisht komponenti zhvillimor, me çka sigurohet financim i pandërprerë i funksioneve të shtetit dhe mbështetje e fuqishme financiare për rikuperimin ekonomik dhe zhvillimit të përshpejtuar ekonomik të përgjithshëm dhe të qëndrueshëm", tha Bekteshi.
Duke theksuar se buxheti për vitin 2022 është paraparë të jetë 1,24 miliard denarë, ministri Bekteshi tha se janë planifikuar më shumë mjete për investimet kapitale.
Mes tjerash, ministri Bekteshi theksoi se në programin për promovimin e burimeve të ripërtërishme të energjisë dhe inkurajimit të efikasitetit energjetik, për vitin 2022 janë paraparë subvencione për qytetarët në vlerë të përgjithshme prej 80 milionë denarë (rreth 1,3 milionë euro), që është për 30 milionë denarë (rreth 500 mijë euro) më shumë në krahasim me mjetet që ishin paraparë për vitin 2021.
Në pjesën e aktiviteteve të mbështetjes financiare për turizmin, ministri tha se në vitin 2022 do të ketë mbështetje për turizmin vendor, duke shtuar se për këtë dhe për promovimin e vendit si destinacion turistik janë paraparë 38,5 milionë denarë (rreth 625 mijë euro).
Sa i përket rritjes së çmimit të produkteve ushqimore dhe masave eventuale qeveritare në këtë drejtim, Bekteshi u shpreh se Qeveria po bën analiza dhe në momentin që do të parashikojë se mund të ketë rritje të shpejtë të çmimeve (price shocks), Qeveria në kohë do të ndërmarrë masat përkatëse në përputhje me Ligjin për tregti dhe me kompetencat e Ministrisë së Ekonomisë.