Ihvan Radoykov
04 Nëntor 2022•Përditësim: 04 Nëntor 2022
Parlamenti i Bullgarisë ka vendosur t'i ofrojë ndihmë Ukrainës, e cila është në luftë me Rusinë, transmeton Anadolu Agency (AA).
Votimi në Parlamentin prej 240 anëtarësh u miratua me 155 vota pro, 49 vota kundër ndërsa një deputet abstenoi.
Partia Socialiste Bullgare (BSP), e cila zhvillon politikë sipas linjave të ish-Partisë Komuniste pro-ruse dhe partia populiste Rilindja, e cila mori anën e Rusisë në luftën në Ukrainë, nuk morën pjesë në votim.
Gjatë votimit, deputetët e dy partive mbanin pankarta ku thuhej “jo armëve” dhe “paqe”.
Në bazë të vendimit, qeveria bullgare do të dërgojë në Parlament një projekt-paketë, e cila parashikon ndihmë ushtarake dhe teknike për Ukrainën brenda një muaji.
Lidhur me vendimin e ri, ministri bullgar i Mbrojtjes, Dimitar Stojanov tha: "Siç e kam thënë vazhdimisht, nuk do të jetë e mundur që ne të furnizojmë Ukrainën me armë të rënda si sistemet kundërajrore S-300 dhe C-125, Su-25 dhe avionët luftarakë Mig-29".
Presidenti pro-rus, Rumen Radev mbrojti një qëndrim të ngjashëm, duke pretenduar se aleatët e NATO-s nuk do ta furnizonin Bullgarinë me armë të standardeve të NATO-s.
Parlamenti kishte kundërshtuar më parë dërgimin e armëve në Ukrainë në një vendim tjetër të marrë në maj.