Agim Sulaj
25 Nëntor 2019•Përditësim: 25 Nëntor 2019
Presidenti i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi dhe kryeministri në detyrë, Ramush Haradinaj kanë emëruar sot për Drejtor të ri të Agjencisë së Kosovës për Inteligjencë (AKI), Kreshnik Gashin, si dhe për Inspektor të Përgjithshëm të AKI-së, Burim Ramadanin, transmeton Anadolu Agency (AA).
Në një komunikatë të dërguar nga Presidenca, thuhet se ky vendim “është marrë bazuar në nenin 84, paragrafin 21, bazuar në nenin 94, paragrafin 8, të Kushtetutës së Republikës së Kosovës”.
Më 6 nëntor të këtij viti, ish-drejtori i AKI-së, Shpend Maxhuni dha dorëheqje me arsyetim gjendjen shëndetësore jo të mirë.
Drejtori i ri i AKI-së, Kreshnik Gashi ka qenë deri më tani kryetar i Bordit të Autoritetit Rregullativ të komunikimeve Elektronike dhe Postare (ARKEP).
Ndërsa, Burim Ramadani që nga janari i vitit 2018 ka qenë zëvendësministri i parë në Ministrinë e Forcës së Sigurisë së Kosovës në qeverinë Haradinaj.