Agim Sulaj
13 Qershor 2019•Përditësim: 14 Qershor 2019
Presidenti i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, me rastin e 20 vjetorit të lirisë u është adresuar dhe ka inspektuar ushtarët e Republikës së Kosovës, transmeton Anadolu Agency (AA).
Siç njofton komunikata nga Presidenca, kreu i shtetit ka thënë se Forca e Sigurisë e Kosovës (FSK) është e mishëruar me dëshirën për liri dhe me gatishmërinë për të mbrojtur këtë liri, për çdo qytetar të Kosovës, në çdo kënd të Kosovës.
"FSK sot është forcë profesionale e standardeve të NATO-s, forcë shumetnike, që në mënyrën më të mirë pasqyron Kosovën që e kemi ndërtuar së bashku. Këto ditë kujtojmë të kaluarën, por shikojmë edhe kah e ardhmja. Kemi arritur shumë në këto 20 vite. Kemi ndërtuar institucionet e shtetit dhe kemi rindërtuar shoqërinë", ka thënë presidenti Thaçi.
Ai tha se janë realizuar aspiratat për liri dhe shtet të pavarur, ndërsa tani po punohet për anëtarësim në NATO dhe BE.
"Duhet të përmbyllim konsolidimin ndërkombëtar të shtetit, duke fituar anëtarësimin në Kombet e Bashkuara. Kemi ndërtuar marrëdhënie të mira me fqinjët tanë, me Shqipërinë, me Malin e Zi dhe me Maqedoninë e Veriut. Po punojmë për marrëveshje paqësore, finale, gjithëpërfshirëse, ligjërisht të obligueshme, me Serbinë. Dëshirojmë të mbyllim kapitujt e konfliktit dhe tragjedive të shekujve të kaluar. Të hapim kapitullin e shekullit të ri, të jetës në liri, në barazi, në zhvillim, prosperitet", u shpreh ai.
Kujtojmë se më 14 dhjetor të vitit 2018 Parlamenti i Kosovës me 106 vota pro, një abstenim, nga 120 deputetë sa i ka miratoi tri ligjet që e ndryshojnë mandatin e FSK-së në ushtri të Kosovës, pa iu ndërruar emri.