Bojana Stojanovic
13 Qershor 2019•Përditësim: 14 Qershor 2019
Boshatisja e fshatrave dhe njerëzve është një problem i madh për Serbinë, prandaj shteti dhe organet shtetërore do të mbështesin maksimalisht çdo gjë që mund të bëhet për të përmirësuar gjendjen, deklaroi presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç, raporton Anadolu Agency (AA).
Pas seancës konstituive, me rastin e formimit të ekipit kombëtar për ringjalljen e fshatrave të Serbisë të mbajtur në Beograd, ekipi i të cilit përbëhet nga ekspertë të ndryshëm të kësaj çështjeje, Vuçiç tha se Serbia po përballet me shpopullimin dhe se "po humben fshatra dhe njerëz".
"Ky është një problem i tmerrshëm për vendin tonë, të mos them se kjo rrënon edhe kapacitetet tona mbrojtëse ndërsa gjithçka që mund të bëjë ky ekip, do të ketë mbështetjen maksimale të qeverisë, presidentit dhe Kuvendit", tha Vuçiç para gazetarëve në pallatin "Serbia" në Beograd.
Presidenti i Serbisë tha se do të jetë një sukses edhe nëse rezulton me 20-30 për qind ringjallja e fshatrave.
Ministri i ngarkuar për zhvillimin rajonal të Serbisë, Millan Krkobabiç, i cili kryesoi takimin, paralajmëroi se fshatrat nuk kanë filluar të boshatisen nga dje, duke shtuar se procesi nuk do të përfundojë nesër.
"Fshatrat e Serbisë nuk janë qëndrim i nostaligjisë së rastësishme, por një domosdoshmëri e popullsisë, ekonomisë dhe të sigurisë", ka thënë Krkobabiç.
Ndërsa ai shpjegoi se ringjallja e fshatit "do të ishte një realitet i bukur nesër", ekziston një rrugë e vështirë e mbushur me vështirësi.
Pas seancës konstituive, Vuçiç ka folur edhe për çështjet politike, duke konstatuar se nëse vjen deri tek takimi në Paris lidhur me çështjen e Kosovës, kjo për Serbinë do të jetë një situatë e vështirë, por situata do të jetë edhe më e vështirë për Serbinë, madje për të gjithë rajonin, nëse takimi nuk do të mbahet.