Admir Fazlagikj
13 Qershor 2019•Përditësim: 14 Qershor 2019
Një delegacion i Qeverisë së Republikës së Maqedonisë së Veriut, i kryesuar nga kryeministri Zoran Zaev së bashku me zëvendëskryeministrin për Çështje Evropiane, Bujar Osmani dhe ministrin e Punëve të Jashtme Nikolla Dimitrov, në Berlin janë pritur nga kancelarja gjermane Angela Merkel, transmeton Anadolu Agency (AA).
"Kancelarja Merkel informoi se Bundestagu do të marrë vendim në shtator për miratimin e fillimit të negociatave të BE-së me Maqedoninë e Veriut, në pajtim me procedurat e vërtetuara të Republikës Federale të Gjermanisë në çështjet për zgjerimin e Unionit. Në takim kancelarja potencoi se Maqedonia e Veriut përmbushi atë që pritej dhe se ajo dhe Berlini këtë e shohin shumë pozitivisht", thuhet në njoftimin e Qeverisë.
Më tej thuhet se Zaev në takim ka thënë se Maqedonia e Veriut ka besim të plotë në kancelaren Merkel dhe mbështet politikën për procesin e zgjerimit të BE-së si dhe politikën e saj ndaj Ballkanit Perëndimor.
"Është theksuar se RF e Gjermanisë është partneri ynë strategjik me të cilën së bashku punojmë në politikat e pajtimit të Ballkanit Perëndimor, në stabilizimin e rajonit dhe të sigurimit të përparimit ekonomik dhe transformimit demokratik, proces i cili do të përfundojë me integrimin tonë në BE. Kryeministri Zaev në takim theksoi se e gëzon fakti që Ministria e Jashtme e Gjermanisë ka qëndrim pozitiv për vendin tonë në raport me fillimin e negociatave për anëtarësim në BE, dhe se i respektojnë procedurat dhe proceset demokratike të cilat do të mundësojnë që Bundestagu të marrë vendim pozitiv në shtator", qëndron në njoftim.
Në takimin e delegacionit të Maqedonisë së Veriut në Berlin është konfirmuar se në Gjermani dhe në vendet tjera anëtare, në mënyrë të pakontestueshme pranohen rezultatet e reformave të cilat potencohen në raportin e Komisionit Evropian dhe se pozitivisht shikohet në rekomandimin e BE-së për fillimin e negociatave për anëtarësim në BE.
"Shumë e fuqishme është bindja se këtë vit i fillojmë negociatat për anëtarësim me BE-në dhe u bashkangjitemi Serbisë dhe Malit të Zi", thuhet në njoftimin e Qeverisë së Maqedonisë së Veriut.