Agim Sulaj
19 Shtator 2019•Përditësim: 20 Shtator 2019
Ushtruesi i detyrës së Sekretarit të Përgjithshëm të Ministrisë së Mbrojtjes së Kosovës, Faruk Geci, dhe ambasadori i Gjermanisë në Kosovë, Christian Heldt nënshkruan marrëveshje të enjten me anë të së cilës Qeveria Gjermane ndanë grand prej 500 mijë eurosh për Forcën e Sigurisë së Kosovës për blerjen e materialeve dhe pajisjeve mjekësore, transmeton Anadolu Agency (AA).
Në komunikatën për media të Ministrisë së Mbrojtjes së Kosovës, thuhet se sekretari Geci e ka falënderuar Qeverinë dhe popullin gjerman për ndihmën, si dhe “për mbështetjen e vazhdueshme që Ministria e Mbrojtjes e Gjermanisë është duke dhënë për ndërtimin e kapacitetet të Forcës së Sigurisë të Kosovës”.
“Forca e Sigurisë e Kosovës, me fondin e dhuruar nga Qeveria gjermane, ka për qëllim të përmirësojë pajisjet e Qendrës Mjekësore të Forcës së Sigurisë të Kosovës, si dhe synon të sigurojë materiale dhe pajisje mjekësore që do të ndikojnë në ngritjen e kapaciteteve mjekësore dhe shërbimeve mjekësore në FSK”, thuhet në komunikatë.