Agim Sulaj
04 Qershor 2021•Përditësim: 05 Qershor 2021
Ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës e Kosovës, Donika Gërvalla-Schwarz, ka pritur në takim zyrtar ministri e Punëve të Jashtme të Greqisë, Nikos Dendias, raporton Anadolu Agency (AA).
Ministrja Gërvalla-Schwarz tha se gjatë bisedës së tyre në MPJD, u diskutuan marrëdhëniet bilaterale, rajonale dhe evropiane. Ajo tha se me optimizëm të madh pret hapat e ardhshëm për të thelluar marrëdhëniet e ndërsjella në fushë e ekonomisë dhe tregtisë, në fushën e politikës, kulturës, të arsimit, shkencës, shëndetësisë e të tjera.
Ajo theksoi se Republika e Kosovës dhe Republika e Greqisë janë pajtuar që si një hap i mëtejshëm drejtë një shkëmbimi të ngushtë dhe të dendur të ngrihet statusi i Zyrës së Kosovës në Athinë nga një zyrë e thjeshtë ekonomike në një zyrë e ashtuquajtur interesi me qasje tashmë në çështje ekonomike, por edhe në fusha tjera, përfshirë ato politike.
"Greqia për ne është një fqinj i rëndësishëm në rajon dhe si anëtare e BE-së dhe NATO-s, jep një kontribut të rëndësishëm në sigurinë dhe stabilitetin në Evropën Juglindore. Me Greqinë ndajmë mendimin që integrimi në BE dhe NATO janë hapat më të rëndësishëm për stabilizimin afatgjatë të Ballkanit Perëndimor, në mënyrë që duke ndërtuar një perspektivë të shëndoshë evropiane dhe trans-atlantike, të mund të lëmë prapa nesh përvojat e hidhura të dekadave të fundit", theksoi ajo.
Ministrja Kosovare theksoi se pavarësia e Kosovës është fakt i pandryshueshëm, duke shtuar se dialogu midis dy vendeve për njohjen e Kosovës nga Greqia do të vazhdojë intensivisht duke shpresuar që të bindin partnerët e BE-së, në mënyrë që të kalohet "nga faza e pasigurisë për rajonin në një fazë të sigurisë dhe parashikueshmërisë".
- "Greqia e mbështet dialogun Kosovë-Serbi me ndërmjetësimin e BE-së"
Ministri Jashtëm i Greqisë, Nikos Dendias, deklaroi se Greqia dëshiron që me Kosovën të zgjerojë marrëdhëniet ekonomike dhe tregtare dhe kjo siç tha ai është arsyeja kryesore e vizitës së tij.
Ai tha se Greqia e mbështet dialogun Kosovë-Serbi me ndërmjetësimin e BE-së, për të arritur një zgjidhje të qëndrueshme gjithëpërfshirëse. Gjithashtu ai tha se janë në përkrahje të vendeve të Ballkanit Perëndimor drejtë integrimit në BE.
"Greqia për dy dekada në mënyrë të vazhdueshme ka qenë për integrimin evropian të Ballkanit Perëndimor. Qeveria e Mitsotakis mbetet e fuqishme në këtë angazhim dhe për këtë ne kemi marrë disa iniciativa me radhë", ka deklaruar Dendias, duke thënë se këtë nuk e bëjnë në interes të shtetit të tyre, por se i gjithë Ballkani Perëndimor duhet të jetë pjesë integrale e BE-së.
Dendias po kështu ka shprehur mbështetjen e shtetit grek për procesin e liberalizimit të vizave për qytetarët e Kosovës, duke përgëzuar për punën e bërë në përmbushjen e kritereve të kërkuara nga BE-ja.
Dendias do të pritet gjithashtu në takim nga presidentja Vjosa Osmani, më pas edhe nga kryeparlamentari Glauk Konjufca si dhe kryeministri Albin Kurti.
Greqia është një nga pesë shtetet e Bashkimit Evropian që ende nuk e ka njohur pavarësinë e Kosovës. Megjithatë, udhëheqës të institucioneve greke, janë deklaruar se do të ndihmojnë Kosovën në përpjekjen e saj për liberalizimin e vizave.