Agim Sulaj
03 maj 2023•Përditësim: 04 maj 2023
Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës (AGK) nëpërmjet një manifestimi ka shënuar Ditën Botërore të Lirisë së Shtypit, raporton Anadolu.
Kryetari i AGK-së, Xhemajl Rexha tha se tash e 30 vjet, 3 maji është dita kur gazetarët dhe mediat e kthejnë vëmendjen kah vetja dhe nga lajmi, për t'ua kujtuar qeverive dhe institucioneve tjera sërish nevojën për ta respektuar zotimin e tyre për lirinë e shtypit.
"Tema kryesore e këtij 3 maji është siguria e gazetarëve që në vitin e fundit ka treguar se është një sfidë e vërtetë. Në vitin 2022 në databazën e AGK-së, janë regjistruar 33 raste të sulmeve të ndryshme të gazetarëve dhe 11 të tilla kanë ndodhur vetëm në vitin 2023", theksoi Rexha.
Ai tha se në fund të vitit të kaluar mediat kanë hasur vështirësi në raportim në veriun e Kosovës në kohën e tensioneve atje, së paku 6 sulme serioze kanë ndodhur ndaj ekipeve të televizioneve nga Prishtina dhe të tjera pengesa ka pasur në performimin e punës atje.
Duke folur për sigurinë e gazetarëve në Kosovë, Rexha përmendi edhe rastin kur Misioni i NATO-s në Kosovë – KFOR nuk i është përgjigjur kërkesës së AGK-së, për të folur rreth shtimit të sigurisë për gazetarët, por njëkohësisht tha se edhe Policia e Kosovës ende nuk ka një strategji të qartë të veprimit në raport me mediat në situata kur cenohet siguria e tyre.
Ambasadori i Bashkimit Evropian (BE) në Kosovë, Tomas Szunyog tha se është inkurajuese që Kosova është radhitur në vendin e 56-të në Indeksin Botëror të Lirisë së Shtypit të organizatës Gazetarët Pa Kufij, ndryshe nga viti i kaluar ku ishte në vendin e 61-të.
Szunyog tha se me strehimin e gazetarëve ukrainas dhe atyre afganë në vendin e saj, Kosova tregoi një shembull se si duhet të mbrohen gazetarët në situata të vështira.
"Por, duhet bërë më shumë, kur bëhet fjalë për sigurinë dhe mbrojtjen e gazetarëve dhe funksionimin dhe qëndrueshmërinë e institucioneve të medias", tha ai.
Ambasadori Szunyog theksoi se edhe pavarësia e transmetuesit publik në Kosovë "duhet të ruhet me kujdes". 3 Maji është një ditë reflektimi në mesin e profesionistëve të medias për lirinë e shtypit dhe etikën në medie.
Kjo ditë në Kosovë shënohet çdo vit me organizim të aktiviteteve të ndryshme për ta ngritur ndërgjegjësimin për sfidat lidhur me sigurinë e gazetarëve dhe rëndësinë e mediave të lira e të pavarura.