Dejan Maksimovic
03 maj 2023•Përditësim: 03 maj 2023
Ministri serb i Arsimit, Branko Ruzhiç ka konfirmuar sot se Qeveria ka vendosur të shpallë 3 ditë zie në Serbi për shkak të tragjedisë në shkollën fillore "Vladislav Ribnikar" në Beograd, transmeton Anadolu.
Ministria e Punëve të Brendshme (MPB) e Serbisë ka njoftuar se nga të shtënat me armë zjarri që kanë ndodhur mëngjesin e sotëm në shkollën fillore "Vladislav Ribnikar" në Vraçar të Beogradit janë vrarë 8 fëmijë dhe një roje.
Në njoftimin e MPB-së në rrjetin social Facebook, thuhet se janë plagosur gjashtë fëmijë dhe një mësuese e shkollës, të cilët aktualisht po trajtohen në Qendrën Emergjente dhe Klinikën Universitare të Fëmijëve në Tirshovë.
Po ashtu bëhet e ditur se në oborrin e shkollës është gjetur dhe arrestuar nxënësi i kësaj shkolle K.K. (viti 2009), i cili dyshohet se ka kryer krimin.
"Të gjitha forcat policore ende janë në terren dhe janë duke punuar intensivisht për zbardhjen e të gjitha shkaqeve dhe rrethanave që kanë çuar deri te kjo tragjedi", thuhet në deklaratën e MPB të Serbisë.