Agim Sulaj
11 Dhjetor 2020•Përditësim: 11 Dhjetor 2020
Autoritetet e Kosovës për siguri dhe ato të Shqipërisë janë dakorduar që t'i ndajnë midis tyre përvojat shtetërore në parandalimin e ekstremizmit të dhunshëm dhe terrorizmit, transmeton Anadolu Agency (AA).
Ky pajtim është arritur pas takimit në Ministrinë e Punëve të Brendshme midis përfaqësuesve të Kosovës, të kryesuar nga Lulzim Fushtica, këshilltar i Ministrit të Punëve të Brendshme dhe delegacionit nga Shqipëria, të udhëhequr nga drejtoresha e Qendrës së Koordinimit Kundër Ekstremizmit të Dhunshëm, pranë Zyrës së Kryeministrit, Lejdi Dervishi.
Siç thuhet në njoftimin e MPB-së në këtë takim u diskutua për metodat që janë duke përdorur të dyja shtetet sa i përket ekstremizmit të dhunshëm dhe terrorizmit, mundësitë e koordinimit të veprimeve të të dyja vendeve për parandalimin e këtij fenomeni.
Në njoftim thuhet se në këtë takim është diskutuar për de-radikalizmin e personave të radikalizuar, qasjen që janë duke përdorur të dyja vendet në kthimin në jetë normale të këtyre personave dhe risocializimin e tyre, si një ndër metodat esenciale për kthimin e tyre në normalitet.
"Të dy delegacionet u dakorduan që të ndajnë përvojat e përbashkëta, duke marrë për bazë format që kanë përdorur vendet e ndryshe të botës, me qëllim të krijimit të një partneriteti, ku aty ku ka nevojë të dy shtetet të mbështesin njëra tjetrën", thuhet në njoftim.
Në fund të takimit të dy delegacionet shprehën nevojën e takimeve dhe komunikimin e vazhdueshëm, në mënyrë që dy vendet të trajtojnë me qasjen e duhur këtë dukuri shumë komplekse.
Në Kosovë që nga viti 2012, kur në Siri kishte nisur konflikti, drejt Sirisë dhe Irakut kanë udhëtuar rreth 400 shtetas të Kosovës, burra, gra dhe fëmijë, ku më shumë se 70 prej tyre janë vrarë.
Personat e kthyer në Kosovë janë përballur me procese gjyqësore, ku disa prej tyre janë duke vuajtur dënimin në burgje. Ndërsa për de-radikalizimin e tyre, shteti kishte vendosur si masë edhe ligjërimin nga imamë të Bashkësisë Islame të Kosovës (BIK) për këta të dënuar.