Agim Sulaj
22 Shkurt 2022•Përditësim: 23 Shkurt 2022
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti është deklaruar në Kuvend se Qeveria e Kosovës mbështet sovranitetin, pavarësinë dhe integritetin territorial të Ukrainës, transmeton Anadolu Agency (AA).
Gjatë seancës plenare të Kuvendit të Kosovës, në të cilën një numër deputetësh kërkuan që Qeveria të ketë vëmendje mbi zhvillimet në Ukrainë, kryeministri Kurti tha se Kosova do të jetë gjithmonë “e bashkërenduar me Bashkimin Evropian (BE), Shtetet e Bashkuara të Amerikës (SHBA) dhe NATO-n”.
Përpos kryeministrit Kurti, edhe Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës në Kosovë ka reaguar në rrjetet sociale, duke thënë se presidenti rus Putin ka bërë dhe po bën luftëra kundër demokracisë në Evropë.
“Kosova qëndron me Ukrainën kundër agresionit të Rusisë. Putin, edhe një herë, po bën luftë kundër një demokracie paqësore. Ai ka bërë luftëra hibride kundër demokracive nëpër Evropë për vite me radhë. Bota e lirë duhet t’i përgjigjet Putinit dhe përfaqësuesve të tij me vendosmëri”, thuhet në reagimin e MPJD-së.
Po kështu, gjatë seancës së Kuvendit të Kosovës, deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Haki Abazi, tha se kriza me Ukrainën shumë shpejt mund të ketë ndikim edhe në rajonin e Ballkanit. Deputeti Abazi konsideroi se është urgjente që institucionet kosovare të sigurisë të mblidhen dhe të shqyrtojnë e monitorojnë me kujdes situatën, me të cilën bota është duke u ballafaquar.
Në një fjalim mbrëmë vonë, Putin njoftoi njohjen e rajoneve separatiste Luhansk dhe Donetsk, duke sulmuar gjithashtu qeverinë e Ukrainës dhe duke akuzuar Perëndimin për injorimin e shqetësimeve thelbësore të sigurisë së Moskës.
Më vonë, ai urdhëroi vendosjen e trupave ruse për të "ruajtur paqen" në rajonet e shkëputura.
Lëvizjet e Putinit janë dënuar gjerësisht si shkelje serioze të së drejtës ndërkombëtare dhe vendet perëndimore janë zotuar për sanksione të reja të ashpra.