Agim Sulaj
07 Mars 2023•Përditësim: 08 Mars 2023
Bashkimi Evropian (BE) dhe Qeveria e Kosovës kanë ndarë 45 bursa të reja për studime master në vendet e Bashkimit Evropian për studentët e diplomuar rishtazi dhe nëpunës civilë nga Kosova, raporton Anadolu.
Bursat të cilat ndahen në kuadër të programit Young Cell Scheme (YCS), që funksionon që nga viti 2004 dhe nga i cili deri më tani kanë përfituar 409 të reja e të rinj, të cilët pas studimeve do të punësohen të paktën për 3 vjet në Administratën Publike në Kosovë.
Ambasadori i BE-së në Kosovë, Tomas Szunyog, tha se përzgjedhja ka qenë shumë konkurruese, teksa tregoi se deri tani 409 studentë e kanë përfunduar këtë program ndër vite.
Szunyog tha se një pjesë e madhe nga ata që i kanë fituar bursat janë të gjinisë femërore, gjë të cilën e konsideroi positive.
“Administrata publike ka nevojë për aftësitë, diturinë dhe perspektivën tuaj në mënyrë që t’i shërbejë shoqërisë kosovare”, theksoi Szunyog.
Zv/kryeministri i Punëve të Brendshme, Bardhyl Dobra, tha se ky është njeri nga projektet më të rëndësishme për Administratën Publike, i cili merret tërësisht me të rinjtë.
Ai tha shumë prej atyre që kanë përfituar nga kjo bursë tani gjenden në administratën publike në Kosovë, e shumë prej tyre edhe në pozita drejtuese në institucionet vendore.
“Një administratë publike profesionale promovon transparencën dhe llogaridhënien në qeveri. Shërbyesit e aftë civilë trajnohen për të vepruar në mënyrë transparente dhe mbahen përgjegjës për veprimet e tyre. Kjo promovon besimin në Qeveri dhe siguron se qytetarët kanë besim tek udhëheqësit e tyre”, theksoi Dobra.
Synimi i programit Young Cell Scheme është përmirësimi i punës së administratës publike të Kosovës dhe cilësisë së shërbimeve që ajo u ofron qytetarëve, duke mbështetur arsimimin e lartë të nëpunësve civilë aktualë dhe të ardhshëm.