Agim Sulaj
04 Maj 2020•Përditësim: 05 Maj 2020
Në Kosovë ka filluar implementimi i fazës së parë si masë lehtësuese për qytetarët dhe ndërmarrjet e ndryshme në përballje me koronavirusin e ri (COVID-19), raporton Anadolu Agency (AA).
Siç nuk ka ndodhur për një kohë të gjatë, në kryeqytetin e Kosovës, Prishtinë, janë bërë radhë të gjata të veturave.
Ndërmarrje të vogla dhe të mesme janë rihapur të hënën, me paralajmërime në dyer që të zbatohet rregulli për 2 metër distancë me njëri-tjetrin si dhe me vendosje të maskave dhe dorëzave për vetëmbrojtje.
Sheshet kryesore të kryeqytetit qëndrojnë ende të mbyllura për qarkullim, ndërsa në mes tyre qëndrojnë pjesëtarë të Policisë së Kosovës për t’i larguar qarkullimet eventuale.
Përpos rritjes së orëve të mundësisë për qarkullim për qytetarët nga 1.5 orë në 3 orë, në të gjithë vendin sot janë hapur edhe sektori i ndërtimtarisë dhe patundshmërisë, tregtia e automjeteve dhe tregtia me pakicë (pjesërisht), riparimi i artikujve personale dhe i orendive si dhe zyrat e konsulencës.
Këto masa lehtësuese do të jenë në fuqi deri më 18 maj, ndërsa do të varet nga numri i të infektuarve të rinj me koronavirus si dhe mbarëvajtja e rregullave në këtë periudhë, për të dalë në një fazë edhe më lehtësuese se kjo pas 18 majit.
Lehtësimi i masave të ndërmarra nga Ministria e Shëndetësisë në luftën kundër COVID-19 sipas ministrit të Shëndetësisë, Arben Vitia, po synohet të bëhet për “çlirimin e ekonomisë së vendit”, e cila sipas Bankës Qendrore të Kosovës (BQK), sivjet mund ta prekë buxhetin e Kosovës me rënie deri në 4 për qind.