Eren Beksaç
25 Qershor 2019•Përditësim: 26 Qershor 2019
Sot në Prizren u hap "Ekspozita e Artizanateve nga Shajaku" me vepra të grave kursiste cilat kanë marrë pjesë në Kurset Profesionale të Bashkisë së Konyas (KOMEK), raporton Anadolu Agency (AA).
Në evenimentin e organizuar në bashkëpunim me Agjencinë Turke për Bashkëpunim dhe Koordinim (TIKA), Institutin Yunus Emre, Shoqatën e Grave Orkide dhe Drejtorinë e Turizmit dhe Zhvillimit Ekonomik pranë Komunës së Prizrenit, mori pjesë edhe kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj.
Para hapjes se ekspozitës, kryeministri Haradinaj u takua me përfaqësuesit e institucioneve dhe organizatave turke në vend dhe me komunitetin turk në Kosovë.
Haradinaj tha se Kosova paraqet shembull për sa i përket bashkëpunimit midis komuniteteve.

"Kosova është mirë aq sa mirë jemi të gjithë dhe sidomos sa mirë janë turqit e Kosovës dhe sa mirë i kanë punët. Populli i Kosovës është falënderues për përkrahjen e Republikës së Turqisë për ne", tha Haradinaj.
Haradinaj tha se Kosova është shtet i vogël dhe me sfida, duke shtuar se vendi synon anëtarësmin në Bashkimin Evropian dhe NATO.
"Nuk është e lehtë për një vend të vogël si Kosova. Kemi nevojë për më shumë njohje të vendeve të botës, por të gjithë e dimë se Kosova nuk harron ndihmën, përkrahjen dhe respektin që na bëhet", theksoi Haradinaj.
Ndërkaq, ambasadori i Turqisë në Prishtinë, Çağrı Sakar, tha se gratë kanë rëndësi të madhe për zhvillimin e një shteti dhe falënderoi kryeministrin për pjesëmarrjen në program.
"Prania e tij këtu sot është një mbështetje e madhe për komunitetin turk në Kosovë, organizatat joqeveritare turke dhe për gratë turke. Përkundër faktit se Kosova është një shtet i ri, ajo është shembulli më i mirë për kontinentin evropian me harmoninë midis grupeve të ndryshme etnike. Ne si Turqi do ta ndihmojmë Kosovën maksimalisht në çdo fushë", tha Sakar.
Në ceremoni morën pjesë edhe deputeti i Partisë Demokratike Turke të Kosovës (KDTP), Fikrim Damka, koordinatori i TIKA-s në Prishtinë, Burak Ceran, drejtori i Institutit Yunus Emre në Prishtinë, Mehmet Ülker, shefi i KFOR-it turk, Kolonel Numan Baş, drejtori i përgjithshëm i Shkollave Maarif në Kosovë, Mesut Özbaysar, kryetarja e Shoqatës së Grave Orkide, Sevgi Kervan, dhe shumë të ftuar të tjerë.
Programi i hapjes së ekspozitës u mbyll me ceremoninë e ndarjes së certifikatave dhe një koktej.