Agim Sulaj
07 Prill 2023•Përditësim: 11 Prill 2023
Është mbajtur në Prishtinë konferenca "Fuqizimi Ekonomik i Grave në Ballkanin Perëndimor" i organizuar nga "Friends of Europe", raporton Anadolu.
Në këtë konferencë në të cilën mori pjesë edhe ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Donika Gërvalla, si dhe gra me pjesëmarrje online nga Shqipëria, Maqedonia e Veriut, Serbia dhe Mali i Zi.
Gratë, të ndara në grupe shkëmbyen ide dhe dëgjuan strategji për zhvillimin e tyre në ekonomi.
Ministrja Gërvalla në fjalën e saj para të pranishmëve tha se gratë në Kosovë historikisht janë ballafaquar me pengesa të mëdha jo vetëm në pjesëmarrje në ekonomi por duke përfshirë diskriminimin, qasjen e limituar në arsim dhe trajnim dhe normal kulturore që kufizojnë lëvizshmërinë e tyre.
Gërvalla tha se në vitin 2021 dhe 2022 Qeveria ka ndarë bursa për gra që dëshirojnë të studiojnë jashtë vendit.
"Me gjithë përpjekjet ka sfida ende në fuqizimin e grave në ekonomi në Kosovë duke përfshirë qasjen e limituar në financa, kujdesin dhe çështjen e pagave. Duhet të krijohet një mjedis më i favorshëm për pjesëmarrjen e grave edhe në lidership në Kosovë", theksoi Gërvalla.
Ajo tha se Kosova ka qenë e fortë sa herë është mbështetur në miqtë e mirë dhe shtoi se shpreson që të forcojnë raportin jo vetëm me grupet punuese por me gjithë rrjetet që ky grup ka dhe së bashku duke filluar nga Kosova të shpërndajmë njohurinë dhe përvojën.
Udhëtimi i "Friends of Europe" në Ballkan synon anashkalimin e debateve në mënyrë që të fokusohet në lëvizjen e rajonit përpara në terma praktike përmes imagjinatës politike dhe objektivave përpara, duke forcuar dhe zhvilluar Ballkanin Perëndimor dhe mbyllur hendekun e tij me Bashkimin Evropian.