Agim Sulaj
29 Shtator 2020•Përditësim: 29 Shtator 2020
Zëri i Romëve, Ashkalive dhe Egjiptianëve ka organizuar për herë të parë në Kosovë "Samitin për Antigjipsizëm" me qëllim luftimin e stigmatizimit dhe diskriminimit të këtyre komuniteteve në vend, raporton Anadolu Agency (AA).
Në këtë samit, u diskutua lidhur me paragjykimet dhe stereotipet ekzistuese në shoqërinë kosovare ndaj komuniteteve rom, ashkali dhe egjiptian si dhe u adresuan sfidat në lidhje me njohjen e anti-gjipsizmit në strategjitë qeveritare.
Drejtori ekzekutiv i Zërit të Romëve, Ashkalive dhe Egjiptianëve (VoRAE), Isak Skenderi, tha se anti-gjipsizmi është një formë specifike e racizmit, ideologji e bazuar në superioritet racor i ushqyer nga diskriminimi historik që shprehet në mes tjerash edhe me dhunë.
"Vetëm fëmijët e maxhupëve (romëve) bëjnë kështu", "maxhupi flliqtë", "mos u bëj si maxhup", janë disa nga gjykimet që u vunë në pah në këtë samit, të cilat sipas Skenderit manifestohen pastaj me akte të urrejtjes e diskriminimit ndaj këtij komuniteti.
"Sivjet jemi ballafaquar si botë edhe me një situatë tjetër. Me një vrasje të një personi me ngjyrë të zezë, George Floyd, në Amerikë. Vrasje e cila ka ngjallur jo vetëm reagime në Amerikë me protesta, por edhe në tërë Evropën dhe në Kosovë. Por, siç tha edhe një artist i njohur Ballkanik: niveli i racizmit në Ballkan nuk mund të matet me qëndrimet tona ndaj zezakëve, por me qëndrimet tona ndaj romëve, ashkalive dhe egjiptianëve, për shkak se ata janë pjesë e shoqërisë tonë", tha Skenderi.
Zëvendësministri për Komunitete dhe Kthim, Selim Kryeziu, tha se do të shqyrtohen mundësitë për ta parandaluar apo për ta zvogëluar diskriminimin ndaj romëve, ashkalive dhe egjiptianëve.
Kjo dukuri sipas Kryeziut nuk është problematike vetëm në Kosovë apo Ballkan, por në gjithë botën.
"Unë vëzhgova të pranishmit dhe pash se janë të gjithë me këmishën me ngjyrë të bardhë, unë e kam të zezë dhe më besoni që më duket më e bukur sesa e këtyre të tjerëve", tha zëvendësministri duke sjellë shembull të barazisë në mënyrë figurative.
Në këtë samit ka marrë pjesë edhe ambasadori i Zvicrës në Kosovë Thomas Kolly, i cili tha se diversiteti social është pasuri dhe një shembull i kësaj pasurie siç tha ai janë pikërisht këto tri komunitete "të cilat pasurojnë shoqërinë me gjuhën dhe me traditat e tyre".
Kolly kritikoi institucionet e Kosovës që sipas tij kanë dështuar të ofrojnë mbrojtje për komunitetin RAE vitin e kaluar, kur në disa raste ndaj tyre është ushtruar dhunë.
Në Kosovë sipas regjistrimit të fundit të popullsisë në vitin 2011 janë rreth 30 mijë banorë të komuniteteve rom, ashkali dhe egjiptian, ndërsa sipas organizatave joqeveritare ata arrijnë shifrën deri në 40 mijë, të cilët jetojnë në kushte jo të mira dhe përballen me mungesë të vendeve të punës.
Ky komunitet përfaqësohet aktualisht nga 4 deputetë në Kuvendin e Kosovës, ndërsa deputetët e tyre pothuajse çdoherë janë bërë pjesë e Qeverisë, që nga themelimi i institucioneve të Kosovës.