Zylfije Adem Jakupi
05 Gusht 2020•Përditësim: 05 Gusht 2020
Kryeministri i Kosovës Avdullah Hoti ka shprehur ngushëllime Qeverisë dhe popullit të Libanit me rastin e tragjedisë së djeshme në Bejrut, Liban, ku si pasojë e shpërthimit e humbën jetën shumë qytetarë të këtij vendi, transmeton Anadolu Agency (AA).
"Në emër të Qeverisë të Republikës së Kosovës dhe në emrin tim, i shpreh ngushëllimet më të sinqerta Qeverisë dhe popullit të Libanit për shuarjen tragjike të jetës së dhjetëra qytetarëve libanezë, të cilët pësuan nga shpërthimi i djeshëm në Bejrut", theksoi Hoti.
Ai tha se në Kosovë, si dhe në vendet tjera të botës, lajmet shokuese të kësaj tragjedie i pranuan me dhimbje të thellë.
"Le të shndërrohet kjo tragjedi në besim dhe vendosmëri për të punuar edhe më fort për një botë paqësore dhe për miqësi mes popujsh e vendesh", theksoi Hoti.
"Shpirtërisht dhe në lutje jemi me popullin e Libanit në këto çaste pikëllimi", tha kryeministri i Kosovës.