Agim Sulaj
18 Korrik 2021•Përditësim: 19 Korrik 2021
Autoritetet e sigurisë kosovare kanë kthyer në vendin e tyre 11 shtetas kosovarë nga zonat e konfliktit në Siri të shtunën në mbrëmje, njoftoi ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, transmeton Anadolu Agency (AA).
Ministri Sveçla në rrjetet sociale tha se ata të cilët kanë kryer krime, në Kosovë apo jashtë saj, do të ndiqen penalisht, ndërsa “Kosova gjithmonë do të jetë shtëpia e qytetarëve të saj”.
“Sot, ne kemi kthyer 11 shtetas të Kosovës nga zonat e konfliktit në Siri. Duke i kthyer këta persona, ne jemi duke ushtruar përgjegjësinë tonë, jo vetëm ndaj qytetarëve tanë, por edhe si anëtarë të Koalicionit Global për të mposhtur ISIS-in (DEASH)”, tha Sveçla, duke nënvizuar se “Kosova është krenare që është lider global në luftën kundër ekstremizmit dhe terrorizmit”.
Tutje, ministri Sveçla bëri të ditur se sa i përket të kthyerve, bëhet fjalë për një grua dhe dhjetë fëmijë, për të cilët tha se “kanë nevojë për ndihmën dhe mbështetjen tonë”.
“Ne kërkojmë nga të gjithë që të respektojnë privatësinë e tyre në ditët, javët dhe muajt në vazhdim. Ata kanë dhe meritojnë të kenë kohën dhe hapësirën e nevojshme që të adaptohen. Qeveria jonë është duke i ndihmuar që të kthehen në familjet e tyre, në mënyrë që ata të riintegrohen në rrethin e tyre”, shtoi Sveçla.
Kosova është bërë anëtare e Koalicionit Global për të mposhtur DEASH-in nga viti 2014. Referuar të dhënave të Policisë së Kosovës, në zonat e luftës në Siri dhe në Irak vazhdojnë të qëndrojnë edhe rreth 100 shtetas të tjerë kosovarë, në mesin e të cilëve gjenden burra, gra dhe fëmijë.