Agim Sulaj
12 Dhjetor 2023•Përditësim: 13 Dhjetor 2023
Këshilli Atlantik - Qendra në Evropë së bashku me Qendrën në Türkiye kanë mbajtur një konferencë në Prishtinë ku është shpalosur raporti “Kthimi në binarë: Zhbllokimi i perspektivës euroatlantike dhe zhvillimore i Kosovës”, raporton Anadolu.
Në këtë takim mori pjesë kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, përfaqësues nga Këshilli Atlantik, Ebru Özdemir - kryetarja e “Limak Group” të cilët e mbështetën raportin, deputetë të Kuvendit të Kosovës, përfaqësues institucionesh, përfaqësues të mediave.
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti në fjalën e tij para të pranishmëve tha se në pranverë të vitit 1999 gjithsej 19 shtete u bënë bashkë për ta bombarduar një shtet joevropian, Serbinë dhe regjimin e Milosheviqit.
Ai se Kosova është një storje e suksesit për shkak të ndërhyrjes së NATO-s dhe të arriturave të saj, por shtoi se Serbia nuk ka ndryshuar dhe ende është me mentalitetin e vitit 1999.
“Serbia nuk ka ndryshuar as nuk është demokratizuar, prandaj kërkohet normalizim. Normalizimi i Kosovës dhe Serbisë kërkon normalizimin e Serbisë karshi vlerave evropiane”, theksoi Kurti.
Kurti tutje tha se Kosova tashmë ka aplikuar për t’u bërë anëtare në BE, por, testi parë është që pesë vendet mosnjohëse të pavarësisë së Kosovës, ta bëjnë një gjë të tillë.
Kryetarja e “Limak Group”, Ebru Özdemir, theksoi se për shumë vite me radhë Këshilli Atlantik në Türkiye dhe Limak kanë punuar bashkërisht në shumë projekte.
Ajo tha se e ardhmja e Kosovës është e ndritshme, megjithëse në rrugën e saj përpara ka sfida, por ka dhe besim në potencialin qytetarë për t’ia dalë mbanë.
“Ne udhëheqim Aeroportin Ndërkombëtar të Prishtinës tash e 12 vjet dhe gjithashtu kompaninë KEDS, derisa mundohemi të kontribuojmë edhe në inspirimin e njerëzve, veçanërisht të rinjve, me edukimin e tyre. Jemi të përkushtuar për të kontribuar në Kosovë, në ekonominë e saj dhe në shoqërinë e saj”, theksoi Özdemir.
Duke folur për raportin e prezantuar, Özdemir, tha se ai vjen në një moment kyç për Kosovën si një hartë që çon Kosovën drejtë një të ardhme më stabile, prosperuese dhe me zhvillim më të qëndrueshëm.
Në raportin e publikuar në këtë ngjarje, me autor Agon Maliqin, i cili është analist i politikave, u bë e ditur se përkundër të gjitha sfidave me të cilat përballet, Kosova ka dëshmuar se shquhet si një rast relativisht i suksesshëm i shtetndërtimit të mbështetur nga Perëndimi.
Raporti ndër të tjera vë në pah se “suksesi i ardhshëm i Kosovës do të varet nëse elitat e saj politike mund të përfitojnë nga mundësitë e mjedisit të ri gjeopolitik për të zgjidhur çështjen e mprehtë të marrëdhënieve me Serbinë. Fakti është se Kosova po humbet shumë mundësi – sa i përket integrimit të saj në strukturat euroatlantike, zhvillimit ekonomik dhe stabilitetit politik të brendshëm - për shkak të mosmarrëveshjes së saj të gjatë me Serbinë”.
Gjithashtu, në raport theksohet se suksesi i Kosovës është i ndërthurur me fatin e Ballkanit Perëndimor në tërësi, ku “batica do të rritet ose do të bjerë për të gjithë”.