Eren Beksaç
02 Qershor 2023•Përditësim: 05 Qershor 2023
Në seancën e sotme të Kuvendit të Kosovës është debatuar për tensionet që kanë kapluar veriun e vendit në ditët e fundit, transmeton Anadolu.
Kryeministri Albin Kurti, në fjalimin e tij në kuvend, tha se vendimi për hyrjen në ndërtesat e komunave në veri të vendit në shoqërim të policisë nuk ishte politik.
Ai theksoi se ky vendim është marrë për shkak të mundësisë që kryetarët e komunave të sulmohen.
"Në këtë pikë, më duhet të theksoj se shoqërimi i kryetarëve të rinj me forcat e sigurisë, është vlerësim i institucioneve të sigurisë, të cilët vlerësojnë shkallën e rrezikshmërisë, pra, nuk është vendim politik, por unë si kryeministër e mbështes këtë. Edhe atëherë, edhe sot. Kanë vlerësuar drejt dhe në ditët në vijim u dëshmua që kanë vlerësuar drejt", u shpreh Kurti.
Duke theksuar se Policia e Kosovës ka marrë nën kontroll vetëm një ndërtesë që është pronësi e Republikës së Kosovës, Kurti tha:
"Po e them këtë, sepse të shumtë janë ata të cilët praninë e forcave të policisë e kanë quajtur si hyrje me forcë në ndërtesë. Nuk ka nevojë ta quajmë hyrje me forcë në ndërtesë, sepse ajo ndërtesë është e Republikës së Kosovës. Nuk hyn policia me forcë në ndërtesë të vet. Nuk hyn kryetari i komunës me forcë në ndërtesë të vet. Ajo është zyra e tij. Unë nuk mund t’i mbyll sytë kur grupe kriminale të llojit fashist-paramilitar kërcënojnë rendin kushtetues e ligjor të Republikës. Jam i vetëdijshëm që jo të gjithë ata që po marrin pjesë në grumbullimet përpara objekteve janë pjesë e grupeve të tilla, por, fatkeqësisht, shumë qytetarë serb për shkak të presionit e kërcënimit të Beogradit zyrtar janë të detyruar të shërbejnë si mburojë njerëzore për sulmet e grupeve të tilla kriminale".
Ai gjithashtu shtoi se protestuesit në veri të Kosovës nuk janë për zgjedhje të reja lokale, duke theksuar se pushteti në Kosovë nuk mund të merret me sulme dhe granata por vetëm me zgjedhje.
Kreu i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Memli Krasniqi, nga ana e tij, duke e kritikuar kryeministrin Kurti se bën veprime pa u kordinuar me partnerët ndërkombëtar për veriun e vendit, deklaroi: "Për herë të parë na ke sjellë në një situatë të na dënojë publikisht sekretari amerikan i shtetit. Jo vetëm ai, por ai është më i rëndësishmi sepse raporti ynë me SHBA-në është i shenjtë. Nuk të lejojmë ta rrezikosh atë sepse është i shenjtë".
Ndërkaq, Kreu i Lidhjes Demokratike (LDK), Lumir Abdixhiku, theksoi se Kosova nuk mund t'i realizojë as të drejtat e saj pa koordinim me aleatët e saj në perëndim.
"Jo vetëm pa aleat, por me aleat qartazi kundër nesh, vendi ynë nuk ka gjasë të shtrojë as sovranitetin, as integritetin, as stabilitetin. Vendi ynë ka gjasë të humbasë edhe aleatët, edhe sovranitetin; dhe në këtë rrugë po na dërgon Albin Kurti sot; edhe pa aleatë, edhe pa sovranitet", tha Abdixhiku.