Agim Sulaj
13 Dhjetor 2023•Përditësim: 14 Dhjetor 2023
Kryetarët e komisioneve për punë të jashtme dhe Evropë nga 12 vende evropiane kanë nënshkruar një letër dërguar përfaqësuesve të Bashkimit Evropian (BE) për të kërkuar heqjen e masave ndëshkuese ndaj Kosovës dhe të bëhet një hetim i plotë për sulmin terrorist të 24 shtatorit në Banjskë, transmeton Anadolu.
Kjo letër e iniciuar nga kryetarja e komisionit parlamentar britanik për punë të jashtme, Alicia Kearns, iu drejtua Përfaqësuesit të Lartë të BE-së për Politikë të Jashtme e Siguri, Josep Borrell dhe emisarit të BE-së për dialogun Kosovë – Serbi, Miroslav Lajçak.
"Sot kërkuan 13 kryetarë të komisioneve parlamentare në të gjithë Evropën nga Josep Borrell dhe Miroslav Lajçak, për të shpallur në Samitin BE-Ballkani Perëndimor: Fund të gjitha masave negative kundër Kosovës dhe një hetim i plotë për sulmin në Banjskë dhe për të publikuar rezultatet", shkroi Kearns në rrjetet sociale.
Deputetja britanike publikoi letrën e drejtuar për përfaqësuesit e BE-së, e cila u nënshkrua nga 13 kryetarët e komisioneve që përfaqësojnë 12 vende evropiane si Mbretëria e Bashkuar, Gjermania, Irlanda, Çekia, Letonia, Lituania, Estonia, Belgjika, Kroacia, Danimarka, Italia dhe Bullgaria.
Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani e falënderoi deputeten Alicia Kearns dhe të gjithë nënshkruesit e letrës.
"Paqja dhe siguria janë themeli i një të ardhmeje të begattë për të gjithë Ballkanin Perëndimor. Paqja dhe siguria lulëzojnë kur përgjegjësia dhe drejtësia vihen në qendër të vëmendjes", tha Osmani duke kërkuar që të largohen "masat e padrejta ndaj Kosovës".
BE-ja i vendosi masa ndëshkuese Kosovës për shkak të mospërfilljes së kërkesave për hapa të menjëhershëm nga Qeveria e Kosovës për uljen e tensioneve në veriun e banuar me shumicë serbe.