Abdulbesar Ademi
12 Maj 2021•Përditësim: 13 Maj 2021
Bashkësia Fetare Islame (BFI) e Maqedonisë së Veriut ka përcjellë mesazhin e urimit me rastin e festës së Fitër Bajramit, që përkon pas agjërimit të muajit të shenjtë të Ramazanit, transmeton Anadolu Agency (AA).
Në mesazhin e urimit, BFI thekson se kjo ditë paraqet kënaqësinë e All-llahut Fuqiplotë për përkushtimin e madh që treguan muslimanët gjatë muajit të Ramazanit, gjatë të cilit "me zemër e shpirt dhe me vetëdije të lartë" agjëruan ditët e Ramazanit, duke treguar në praktikë lidhshmërinë e paluhatshme me Krijuesin.
"Festa e Fitër Bajramit është triumfi i besimit ndaj pabesimit, i së mirës ndaj së keqes, i bujarisë ndaj koprracisë, i solidaritetit ndaj nënçmimit, i afrimit me njëri-tjetrin ndaj izolimit dhe largimit prej tjerëve, i paqes ndaj konflikteve, i shpirtërores ndaj materiales dhe i pajtimit ndaj hakmarrjes", thuhet në mesazhin e BFI-së
Më tej, përmendet edhe pandemia e koronavirusit të ri (COVID-19), periudhë gjatë të cilës besimtarët e Maqedonisë e Veriut kanë agjëruar nën masa të rrepta të ndërmarra nga autoritetet për të parandaluar përhapjen e virusit.
"Ky Ramazan i bekuar, ishte bashkë me ne në momentet më të vështira që solli sëmundja e rrezikshme COVID-19 dhe bashkëjetoi me ne gjatë tërë ditëve të agjërimit. Kjo bëri që të jetë një vlerë edhe më e madhe për besimtarin, sepse ne bëmë një luftë të dyfishtë, ajo kundër shejtanit të mallkuar dhe tjetra në përpjekjet tona për të dhënë kontribut në zbehjen dhe evitimin e prekjes nga virusi", thekson BFI-ja.
Kujtojmë se gjatë muajit të Ramazanit në Maqedoninë e Veriut është zbatuar një orë policore, fillimisht nga ora 20 në mbrëmje deri në orën 05 të mëngjesit, më tej së fundmi duke u zbutur nga ora 23 deri në orën 05. Po ashtu falja e namazit të teravisë në fillim të Ramazanit nëpër xhami nuk ka qenë e mundur për shkak të kufizimeve të lëvizjes së qytetarëve.