Abdula Berisha
04 Tetor 2021•Përditësim: 04 Tetor 2021
Ministria e Punëve të Jashtme (MPJ) e Maqedonisë së Veriut ka konfiruar se një diplomat i vendit është shpallur "person i padëshiruar" nga Federata Ruse, transmeton Anadolu Agency (AA).
Përmes një kumtese, nga MPJ njoftojnë se ushtruesja e detyrës në Ambasadën e Republikës së Maqedonisë së Veriut në Moskë, Olivera Çaushevska-Dimovska, u thirr në Ministrinë e Punëve të Jashtme të Federatës Ruse, ku iu dorëzua notë për shpallje "person të padëshiruar" diplomatin i cili mbante postin e sekretarit të dytë.
Më tej, në kumtesën e MPJ-së së Maqedonisë së Veriut theksohet se vendimi i MPJ-së ruse për ta dëbuar diplomatin që u delegua kohëve të fundit në Federatën Ruse është një vendim politik reciprok pa asnjë bazë meritore.
"Për dëbimin e mëparshëm të diplomatit rus nga Maqedonia e Veriut, u paraqitën prova të regjistruara për veprimtarinë e tij në kundërshtim me Konventën e Vjenës për Marrëdhëniet Diplomatike. Prandaj, hapi i sotëm i palës ruse është plotësisht i pabazuar dhe do të ndikojë negativisht në përpjekjet për t’i avancuar marrëdhëniet midis dy vendeve", thuhet gjithashtu në njoftim.
Vendimin për dëbimin e diplomatit të Maqedonisë së Veriut më herët e bëri të ditur MPJ-ja ruse, e cila në njoftim theksoi se "masa është një përgjigje ndaj një vendimi krejtësisht të pabazuar për të shpallur një diplomat në Ambasadën Ruse në Shkup person të padëshiruar të bërë nga Maqedonia e Veriut në gusht të këtij viti".
- Maqedonia e Veriut më 17 gusht dëboi një diplomat rus nga vendi
Kujtojmë se ministri i Punëve të Jashtme i Maqedonisë së Veriut, Bujar Osmani, më 17 gusht konfirmoi se Maqedonia e Veriut ka dëbuar një diplomat rus nga vendi, gjë që ndodhte për herë të dytë brenda vitit.
"Ministria e Punëve të Jashtme, sa herë që merr informacion të konfirmuar dhe të dokumentuar në lidhje me sjelljen e diplomatëve të huaj të akredituar, që është në kundërshtim me parimet e Konventës së Vjenës, merr masat për të mbrojtur sigurinë e saj kombëtare, por edhe sigurinë e aleatëve në aleancën të cilës i përkasim. Kështu që informacioni është i saktë", tha atëherë Osmani.
Ky ishte rasti i dytë sivjet që një diplomat rus të dëbohet nga Maqedonia e Veriut.
Më 18 maj të këtij viti, Maqedonia e Veriut e shpalli një diplomat rus "person të padëshirueshëm" në vend në përputhje me nenin 9 të Konventës së Vjenës për marrëdhëniet diplomatike.
Atëherë, Rusia u përgjigj dhe më 10 qershor të këtij viti njoftoi se një diplomat i punësuar në Ambasadën e Maqedonisë së Veriut në Moskë ishte shpallur "person i padëshirueshëm".