Alma Dekovic
04 Tetor 2021•Përditësim: 05 Tetor 2021
Udhëheqësit e Bashkimit Evropian (BE) dhe gjashtë vendeve të Ballkanit Perëndimor do të takohen më 5 dhe 6 tetor në Bërdo pranë qytetit Kranj, Slloveni, për të diskutuar perspektivën evropiane të rajonit, bashkëpunimin reciprok dhe rimëkëmbjen ekonomike në kontekstin e pandemisë aktuale të koronavirusit të ri (COVID-19), raporton Anadolu Agency (AA).
Samiti BE-Ballkan Perëndimor do të organizohet nga presidenca sllovene e Këshillit të BE-së dhe do të mbledhë së bashku udhëheqës të shteteve anëtare të BE-së dhe udhëheqës të Shqipërisë, Bosnjës e Hercegovinës, Serbisë, Malit të Zi, Maqedonisë së Veriut dhe Kosovës.
Samiti do të kryesohet nga presidenti i Këshillit Evropian, Charles Michel, i cili do të përfaqësojë BE-në së bashku me Presidenten e Komisionit Evropian, Ursula von de Leyen.
Siç u njoftua nga Komisioni Evropian, samiti do të përbëhet nga një sesion plenar, i ndjekur nga një sesion i udhëheqësve të BE-së dhe rajonit.
Në sesion do të mbizotërojnë tema të tilla si riafirmimi i perspektivës evropiane të Ballkanit Perëndimor, i cili siç theksohet, është në interesin e përbashkët strategjik dhe zgjedhje e përbashkët strategjike.
Liderët po ashtu do të diskutojnë për zhvillimin e bashkëpunimit dhe rimëkëmbjen socio-ekonomike të rajonit në kontekstin e pandemisë COVID-19.
Takimi do të fokusohet gjithashtu në zbatimin e Planit Ekonomik dhe të Investimeve, i cili përcakton një paketë investimesh gjithëpërfshirëse.
Gjithashtu do të merret parasysh mundësia e bashkëpunimit të mëtejshëm në çështjet politike dhe të sigurisë me interes të përbashkët.
Siç u paralajmërua, gjatë sesionit plenar, drejtuesve do t'u bashkohen përfaqësues të Bankës Evropiane të Investimeve, Bankës Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim, Bankës Botërore dhe Këshillit të Bashkëpunimit Rajonal.
Udhëheqësit e BE-së pritet të bëjnë një deklaratë në fund të takimit, duke u kërkuar udhëheqësve të Ballkanit Perëndimor të bien dakord.
Samiti është pjesë e angazhimit strategjik të Unionit me Ballkanin Perëndimor, në përputhje me Programin Strategjik 2019-2024. Ai u parapri nga takimet e mbajtura në vitin 2018 në Sofje dhe 2020 përmes video-konferencës në Zagreb.