Agim Sulaj
19 Shtator 2022•Përditësim: 20 Shtator 2022
Raporti i fundit tematik publikuar nga Misioni i Organizatës për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë (OSBE) konkludoi se ndjekja e veprave të terrorizmit mbetet sfiduese në Kosovë, megjithatë institucionet gjyqësore duhet të sigurohen që këto raste t’i gjykojnë drejtë, në mënyrë efektive dhe duke respektuar të drejtat e njeriut, raporton Anadolu Agency (AA).
Raporti i titulluar “Trajtimi i rasteve të terrorizmit nga sistemi i drejtësisë penale në Kosovë” ka analizuar rastet e terrorizmit nga viti 2018 deri më 2020 duke identifikuar trendet në praktikat e ndjekjes dhe duke ofruar një pasqyrë të progresit në ndjekjen e rasteve të terrorizmit, si dhe duke nënvizuar fushat ku duhet përmirësim.
Raporti vë në dukje trende pozitive në menaxhimin e rasteve dhe ndjekjen e tyre. Megjithatë, janë identifikuar disa shqetësime në lidhje me ndjekjen e financimit të terrorizmit, cilësinë e aktakuzave dhe vendimeve, si dhe mbi përdorimin e paraburgimit.
Shefi i të Misionit të OSBE-së në Kosovë, Michael Davenport, tha se terrorizmi është një kërcënim që ndryshon dhe se edhe përgjigja ndaj tij duhet të ndryshojë vazhdimisht.
“Terrorizmi është një kërcënim gjithnjë në zhvillim ndaj sigurisë që kërkon hetim, ndjekje penale dhe gjykim të fuqishëm. Ne duhet të jemi vigjilent në përgjigje ndaj këtyre sfidave, por përgjigja jonë duhet të respektojë edhe të drejtat e njeriut dhe sundimin e ligjit”, tha Davenport.
Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, tha se ka qenë situatë sfiduese për institucionet e larta të drejtësisë në Kosovë në kuptimin e trajtimit të kategorisë së të rikthyerve nga vatrat e luftës në Siri dhe Irak, si dhe të afërmve të tyre.
Haxhiu tha se raportet kredibile ndërkombëtare e kanë vlerësuar punën e inspektorëve të Kosovës në parandalimin dhe luftimin e radikalizmit. Ajo tha se në burgjet e Kosovës para katër vitesh ishin afër 40 të dënuar për vepra penale të lidhura me terrorizmin ndërsa aktualisht janë 20 të tillë, përfshirë edhe gjashtë persona të cilët janë me statusin e të paraburgosurve.
“Për Ministrinë e Drejtësisë, por po ashtu edhe për Shërbimin Korrektues të Kosovës sfidues mbetet aspekti i ri-integrimit të tyre në shoqëri. Shumica e të dënuarve kanë dënime me burgime të shkurtra, dy vite, tre vite, katër vite dhe institucionet apo komuniteti i jashtëm ende nuk janë të përgatitur sa duhet për t’i pritur apo për t’i trajtuar ata në mënyrën që do të duhej, që të kenë një jetë, një perspektivë më të qëndrueshme”, theksoi Haxhiu.
Raporti i OSBE-së ka dhënë rekomandime për institucionet kyçe në Kosovë që merren me rastet lidhur me terrorizmin në mënyrë që legjislacioni aktual të jetë në përputhje me standardet ligjore të BE-së dhe ato ndërkombëtare dhe me qëllim të forcimit të kapacitetit të të gjithë sistemit të drejtësisë dhe aktorëve të zbatimit të ligjit për t'iu përgjigjur këtyre rasteve.