Agim Sulaj
05 shtator 2022•Përditësim: 05 shtator 2022
Zv/kryeministri i parë i Qeverisë së Kosovës, Besnik Bislimi, bashkë me ministren e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit e Kosovës, Arbërie Nagavci, zhvilluan vizitë në Luginën e Preshevës, territor me komuna të banuara me shqiptarë në Serbi, transmeton Anadolu Agency (AA).
Vizita e tyre është bërë pas ftesës nga Këshilli Kombëtar Shqiptar (KKSH), ndërsa kryetari i këtij këshilli, Ragmi Mustafi, ka njoftuar se në selinë e KKSH-së, me zyrtarët kosovarë u diskutua për trajtimin e çështjes së Luginës së Preshevës, e në veçanti financimin e teksteve mësimore për filloristët shqiptarë në këto territore.
“Mbi 4 mijë nxënës do të përfitojnë libra shkollorë falas. Projekt që mbështet çdo familje shqiptare në Luginë. Nga Republika e Kosovës tek qytetarët shqiptarë në Medvegjë, Preshevë e Bujanoc”, ka bërë të ditur Mustafi.
Sa i përket arsimit, Mustafi tha se janë diskutuar edhe mosnjohja e diplomave të Kosovës në Serbi, deri tek nevoja për trajnimin e mësimdhënësve.
Mustafi në takim me Bislimin dhe Nagavcin tha se u diskutuan tri tema kryesore: Reciprociteti për barazi, respektivisht të trajtohen shqiptarët në Luginën e Preshevës siç trajtohen serbët në Kosovë; Fondi i ndarë prej 2 milionë eurosh nga Qeveria e Kosovës të orientohet në ruajtjen dhe kultivimin e identitetit kombëtar e kulturor me fokus vetëpunësimin e të rinjve; si dhe trajtimi i pasivizimit të adresave të shqiptarëve në Luginë që sipas Mustafit, “po vazhdon të jetë në shifra alarmante”.
Në këtë vizitë, zv/kryeministri Bislimi dhe ministrja Nagavci kanë shpërndarë libra në shkollën fillore “Muharrem Kadriu” në fshatin Tërnoc të Komunës së Bujanocit dhe në shkollën “Zenel Hajdini” në Komunën e Preshevës.
Qeveria e Kosovës ka ndarë këtë vit buxhet prej 255 mijë eurove për sigurimin e teksteve mësimore në gjuhën shqipe për nxënësit e klasës së parë deri në klasën e tetë që jetojnë në Luginën e Preshevës.