Husamedin Gina
13 Mars 2019•Përditësim: 14 Mars 2019
Të jesh pjesëtar i njësisë për detyra speciale "Tigrat" është një nder i madh, por bart me vete edhe përgjegjësi akoma më të madhe, deklaroi sot ministri i Punëve të Brendshme të Maqedonisë së Veriut, Oliver Spasovski në ceremoninë e shënimit të 38-vjetorit të themelimit të kësaj njësie, raporton Anadolu Agency (AA).
Në fillim të ceremonisë së shënimit të përvjetorit të 38 të njësitit, me një minutë heshtje dhe me vendosjen e kurorave me lule në monumentin e vendosur, u nderuan pjesëtarët e rënë të saj.
Në adresimin e tij para të pranishmëve, ministri Spasovski tha se njësiti special, për sa i përket pajisjeve teknologjike dhe teknike si dhe aspektit profesional që ka është e barabartë me policitë rajonale dhe ato të Evropës.
%2F20190313_2_35410461_42556348.jpg)
"Të jesh pjesëtar i këtij njësiti është një nder i madh, por akoma më e madhe është përgjegjësia. Detyrim i cili kërkon një performancë shumë të lartë individuale por edhe standarde profesionale", theksoi Spasovski, i cili u zotua se do të punojnë akoma më shumë në procesin e organizimit të përgjithshëm profesional si dhe në promovimin dhe mbindërtimin e kësaj shtylle thelbësore të policisë.
Komandanti Mitko Danevski, nga ana e tij theksoi se njësiti, tashmë është shndërruar në njësit elitar dhe modern.
"Pjesëtarët e këtij formacioni, me shpirtin luftarak, me motivimin e lartë dhe me stërvitjet cilësore, zakonisht kryejnë detyra me rrezik të lartë, të paparashikueshme në situata tejet ekstreme", tha Danevski, duke kujtuar se tigrat sakrifikojnë për të arritur qëllimin, qoftë edhe me koston e jetës.
Në fund të ceremonisë "Tigrat" shfaqën një demonstrim taktik.
Njësiti "Tigrat" janë formuar në vitin 1981, në kuadër të ish-Sekretariatit të Punëve të Brendshme të Republikës Socialiste të Maqedonisë.