Admir Fazlagikj
16 Dhjetor 2015•Përditësim: 16 Dhjetor 2015
SHKUP (АА) - "Sfida e cila del nga fenomeni i terrorizmit dhe specifika e saj, në veçanti lidhja e saj me ekstremizmin dhe radikalizmin kërkon qasje të kujdesshme për të zbuluar në kohë zhvillimin e këtij fenomeni", deklaroi ministri i Brendshëm i Republikës së Maqedonisë Oliver Spasovski në konferencën ndërkombëtare 'Migrimet dhe rrjedha e refugjatëve në vendet transitore: implikimet mbi sigurinë', raporton Anadolu Agency (AA).
Ministri Spasovski tha më tej se ky fakt i bënë ata që në vazhdimësi të ndërmarrin masa për parandalim dhe ballafaqim me rreziqet të cilat dalin nga terrorizmi. Ai theksoi se mbi 600 mijë refugjatë dhe migrantë kanë kaluar transit nëpër Maqedoni që nga fillimi i krizës, ndërsa siç theksoi, Republika e Maqedonisë ka një imperativ para vetes që këta njerëz ti trajtojë në mënyrë humane.
"Rreziqet aktuale të sigurisë duken të vogla, por potencialet që bartin në vete mund ti rrisin nëse nuk veprojmë në kohë" tha Spasovski.
Konferencës ndërkombëtare iu drejtua edhe ministri i Sigurisë i Bosnje e Hercegovinës, Dragan Mektiç i cili në fjalimin e tij tha se nevojitet një bashkëpunim i ngushtë i të gjitha vendeve të cilat janë të prekur nga ky fenomen.
"Mundësia që grupet terroriste të shfrytëzojnë rrjedhat e refugjatëve imponon nevojën e bashkëpunimit më të ngushtë mes shërbimeve të zbulimit, policisë dhe agjencive të tjera për zbatimin e ligjit, si nga rajoni njëjtë edhe në rrafsh botërorë”
Konferencën e sotme e ndoqi edhe një pjesë e trupit diplomatik në vend, përfaqësues të UNHCR-së dhe organizata tjera të cilat e kanë çështjen e refugjatëve në fushëveprim të tyre.
Kjo konferencë u organizua nga Instituti për Hulumtime Gjeostrategjike dhe Politikë të Jashtme (IHGJPL) pranë Ministrisë së Punëve të Jashtme të Republikës së Maqedonisë, dhe në suaza të saj u nënshkrua një memorandum bashkëpunimi mes nismës rajonale për Migrim, Azil dhe Refugjatë (MARRI) dhe Sekretariatit Ekzekutiv të CEI-të.