Abdula Berisha
24 Nëntor 2021•Përditësim: 25 Nëntor 2021
Nxënësit dhe arsimtarët e Shkollës Fillore "Ismail Qemali" në Shkup kanë marshuar në shenjë solidariteti me viktimat e aksidentit të djeshëm me autobusin në Bullgari, ku humbën jetën 46 persona, në mesin e të cilëve 12 fëmijë, raporton Anadolu Agency (AA).
Nga 12 fëmijët, 5 ishin nxënës të shkollës "Ismail Qemali" dhe që të gjithë ishin anëtarë të së njëjtës familje. Bëhet fjalë për nxënësit Belma Jahi, klasa e dytë, e lindur në vitin 2014; Omer Jahi, klasa e gjashtë, i lindur në vitin 2010; Razije Jahi, klasa e tetë, e lindur në vitin 2009; Ajla Jahi, klasa e nëntë, e lindur në vitin 2007; si dhe Ergin Jahi, klasa e nëntë, i lindur në vitin 2007.
Në deklaratën për AA, Qamil Imeri, kujdestari i klasës ku bënin pjesë Ergini dhe Ajla, duke shprehur ngushëllime, tha se shumë prej nxënësve qajnë për shokët e tyre.
"Kanë qenë nxënës shumë të mirë, të sjellshëm, të edukuar, por për fat të keq ndodhi ajo çfarë ndodhi. Ishin të mërkurën, më pyetën që t'i liroj të shkojnë në Turqi në shëtitje të shkurtër, pasi ishte edhe festa e 22 Nëntorit. Duke u kthyer nga Turqia, në Bullgari ndodhi fatkeqësia ku edhe i shprehi ngushëllime familjes së tyre, Insha-Allah Zoti ju dhashtë durim, forcë, që të përballojnë këtë dhimbje", tha Imeri.
Fillimisht, disa prej nxënësve, të shoqëruar nga arsimtarët e tyre vizituan familjarët e miqve të tyre të ndjerë për të shprehur ngushëllime. Përpos pesë fëmijëve, nga familja Jahi në aksident humbën jetën edhe dy anëtarë të tjerë të familjes së ngushtë.
Më pas, rreth 1.700 nxënësit e Shkollës Fillore "Ismail Qemali" marshuan rreth 3.5 kilometra nga shkolla e tyre deri në sheshin "Skënderbeu" në Çarshinë e Shkupit, ku vendosën lule dhe nderuan viktimat.
Në deklaratë për mediat, Burbuqe Imeri, drejtoreshë e shkollës, tha se janë shumë të prekur dhe të pikëlluar nga aksidenti tragjik.
"Ngushëlloj njëherë familjarët, ngushëlloj nxënësit, arsimtarët, të cilët kanë pasur momente të mira me nxënësit të cilët humbën jetën tragjikisht. Unë me të vërtetë nuk kam koment tjetër, jemi mjaft të pikëlluar nga rasti. Për një shkollë, pesë nxënës të humbin jetën, kjo është tragjedi shumë, shumë e madhe", tha Imeri.
Gjithashtu, një nxënëse lexoi një poezi në kujtim të miqve të cilët ndërruan jetë, ku theksoi se kjo ngjarje u duket joreale.
"Në kujtim të këtyre nxënësve, në kujtim të këtyre të rinjve që humbën jetë tragjikisht, dua t'ju them të gjithë bashkëmoshatarëve të mi: Dhimbja dhe vaji do të jenë gjithmonë prezent në zemrat tona", tha nxënësja.
Kujtojmë se në nder të viktimave, Maqedonia e Veriut dje shpalli tre ditë zie, ndërsa ditë zie sot mbahet edhe në Bullgari dhe Kosovë.