Husamedin Gina
07 Qershor 2019•Përditësim: 08 Qershor 2019
Në organizim të Lidhjes së shoqatave të pensionistëve të Maqedonisë dhe nën patronatin e Qeverisë së Maqedonisë së Veriut, në Shtëpinë e Armatës në Shkup u mbajt shfaqja e nëntë republikane e pensionistëve të vendit, raporton Anadolu Agency (AA).
Në këtë shfaqja pensionistët performuan me këngë, muzikë dhe lojëra, ndërsa në të i pranishëm ishte edhe kryeministri i vendit, Zoran Zaev, i cili tha se ky manifestim duhet t’i përmbush synimet e ndërtimit të një shoqërie solidariteti në të cilën respektohen vlerat e vërteta.

“Ju pensionistë jeni qytetarët tanë më meritorë që në mënyrë aktive merrni pjesë në ndërtimin e shtetësisë. Ju vendosët themelet e shtëpisë sonë të përbashkët, vendit tonë, Republikës së Maqedonisë së Veriut. Për këto arsye, gjeneratat e tanishme, jemi të detyruar të shprehim respekt dhe mirënjohje të pafundme për ju”, deklaroi Zaev.
Duke theksuar se Qeveria ka ndërmarrë detyrime për t’u kujdesur për qytetarët e moshuar, Zaev tha se së bashku me Ministrinë e Punës dhe Politikës Sociale i korrigjuan padrejtësitë dhe tani pensionet përshtaten me koston e jetesës.
Kryetarja e Lidhjes së shoqatave të pensionistëve të Maqedonisë, Stanka Trajkova, tha se ky manifestim ka fituar rëndësi më të madhe me prezencën e kryeministrit.
“Ne pensionistët vazhdimisht themi se shfaqjet e pensionistëve janë mbrojtës besnik të folklorit tonë të përbërë nga këngë, muzikë, lojëra, zakone, legjenda, kostume dhe bizhuteri”, tha Trajkova.
Ajo shtoi se me këngën, muzikën dhe vallen njerëzit shprehin dhimbje, hidhërim, gëzim dhe diçka që nuk kanë guxuar apo kanë mundur ta shprehin ndryshe.
Në shfaqjen me këngë, muzikë dhe lojëra performuan 25 shoqata të pensionistëve nga gjithsej 53 shoqata të anëtarësuar në Lidhjen e shoqatave të pensionistëve të Maqedonisë së Veriut.