Nazmi Abduramani
14 Prill 2020•Përditësim: 14 Prill 2020
Presidenti i Maqedonisë së Veriut, Stevo Pendarovski sot realizoi bisedë telefonike me presidentin e Shqipërisë, Ilir Meta, transmeton Anadolu Agency (AA).
Në njoftimin e kabinetit të Presidencës thuhet se të dy presidentët shkëmbyen informacione për gjendjen aktuale në dy shtetet, në kontekst të përballjes me pasojat e përhapjes së COVID-19.
Më tej theksohet se presidenti Pendarovski informoi për masat që institucionet kompetente në vend i ndërmarrin në përballjen me epideminë dhe vlerësimet për zhvillimin e mëtejshëm të situatës. Pendarovski theksoi se “fokusi i shteteve, krahas përballjes me pasojat në planin shëndetësor, duhet të orientohet edhe në përballjen me pasojat në planin ekonomik dhe social”.
Duke pasur parasysh konfirmimin e paradokohshëm të vendeve anëtare të Bashkimit Evropian për gatishmërinë e Maqedonisë së Veriut dhe Shqipërisë për fillimin e bisedimeve aderuese për anëtarësim, ndërsa pas anulimit të Samitit të liderëve të BE-së dhe vendeve të Ballkanit Perëndimor që duhej të mbahej më 7 maj në Zagreb për shkak të gjendjes me përhapjen e COVID-19, Pendarovski shprehu pritjet se Komisioni Evropian do të arrijë të gjejë modalitete për ecjen e procesit, në interes të të dy shteteve dhe vet Unionit.
Që të dy presidentët shprehën gatishmërinë për shkëmbimin e përvojave, koordinimit dhe mbështetjes aty ku është nevoja, në frymën e solidaritetit dhe bashkëpunimit rajonal për përballjen me epideminë si dhe për tejkalimin e krizës shëndetësore dhe socio-ekonomike të shkaktuar nga COVID-19. Presidenti i Shqipërisë, Ilir Meta shprehu urimet deri te Pendarovski dhe të gjithë qytetarët për anëtarësimin e vendit në NATO.