Bojana Stojanovic
17 Maj 2018•Përditësim: 17 Maj 2018
BEOGRAD (AA) – Samiti i Bashkimit Evropian (BE) dhe Ballkanit Perëndimor, i cili ka për qëllim konfirmimin e përkushtimit të BE-së ndaj Ballkanit Perëndimor, por edhe të theksohet nevoja e bashkëpunimit shumë të afërt të vet vendeve të Ballkanit si dhe zhvillimin e marrëdhënieve të tyre të mira ndërfqinjësore filloi sot në kryeqytetin e Bullgarisë, Sofje, raporton Anadolu Agency (AA).
Sipas paralajmërimit zyrtar të BE-së, tema e Samitit, i cili organizohet në kuadër të kryesimit bullgar me Këshillin e BE-së është ndërlidhja me qëllim të avancimit të lidhjes mes BE-së dhe Ballkanit Perëndimor, por edhe lidhjen brenda rajonit, veçmas në sferën e infrastrukturës, mes njerëzve dhe sferës digjitale.
Në samit, përveç krerëve të shteteve dhe qeverive të shteteve anëtare dhe zyrtarëve të lartë të BE-së, gjithashtu marrin pjesë udhëheqës nga Ballkani Perëndimor. Udhëheqësit e Shqipërisë, Bosnjë e Hercegovinës, Serbisë, Malit të Zi, Maqedonisë dhe Kosovës marrin pjesë në Samit. Nikoqir i takimit është kryeministri bullgar Bojko Borisov, ndërsa me takimin do të kryesojë presidenti i Këshillit Evropian, Donald Tusk. Ai përfaqëson BE-në, si dhe presidenti i Komisionit Evropian, Jean-Claude Juncker.
Po ashtu, në samit marrin pjesë edhe presidenti i Parlamentit Evropian, Antonio Tajani, përfaqësuesja e lartë e BE-së Federica Mogherini, Eurokomisari për Zgjerim dhe Politikë Fqinjësore, Johannes Hahn, si dhe përfaqësues të Bankës Botërore.
Ky takim duhet të konfirmojë angazhimin e BE-së për partnerët në Ballkanin Perëndimor dhe se rajoni i përket familjes evropiane si dhe nevojën për një bashkëpunim më të ngushtë në ballafaqimin e sfidave të përbashkëta, të tilla si siguria, migrimi, zhvillimi gjeopolitik dhe marrëdhëniet e mira fqinjësore.
“Qëllimi i Samitit është të konfirmojë perspektivën e qartë evropiane për Ballkanin Perëndimor, por pa krijimin e pritjeve të rrejshme. Procesi i anëtarësimit në BE për secilin vend do të vazhdojë në mënyrë të vendosur dhe progresi i çdo vendi do të vlerësohet individualisht dhe objektivisht dhe në përputhje me kriteret”, thuhet në paralajmërimin e Samitit.
Më tej theksohet se perspektiva evropiane e Ballkanit Perëndimor është një nga katër prioritetet e kryesimit bullgar.
“Stabiliteti dhe prosperiteti i Ballkanit Perëndimor është po aq me rëndësi edhe për BE-në, si dhe me rëndësi për qytetarët në rajon, meqë ato janë parakusht për paqen dhe prosperitetin në Evropë”, thuhet në paralajmërimin e Samitit.
Në Samit nuk do të marrë pjesë kryeministri i Spanjës, Mariano Rajoy, për shkak të qëndrimit të këtij vendi ndaj Kosovës, por Spanja megjithatë do të ketë përfaqësues, gjegjësisht zyrtar më të ulët diplomatik.
Samiti filloi me sesionin plenar të ndërlidhjes (connectivity). Më pas vijon drekë pune, pastaj konferenca e përbashkët për media e Tusk-ut, Juncker-it dhe Borisov-it