Agim Sulaj
11 Tetor 2022•Përditësim: 11 Tetor 2022
Policia e Kosovës, konkretisht njësitë policore kufitare nga Drejtoria Rajonale e Policisë Kufitare “Veriu”, në fshatin Koshuticë të Komunës së Leposaviqit ka arrestuar dy shtetas serb, transmeton Anadolu Agency (AA).
Siç bëhet e ditur nga Policia e Kosovës, fillimisht në orët e hershme të mëngjesit ishin ndaluar dy automjete të dyshuara të cilat drejtoheshin nga dy meshkuj shtetas të Serbisë.
“Personat dyshohet se përmes rrugëve ilegale me automjete kishin hyrë në territorin e Republikës së Kosovës nga territori i Serbisë duke kontrabanduar mallra të ndryshme”, njofton policia.
Në njërën prej automjeteve të ndaluara nga policia kosovare ishte gjetur mall i kontrabanduar si produkte të qumështit dhe miellit, ndërsa në automjetin e dytë ishin gjetur farmerka, kërpudha dhe gazeta të mediave të shkruara të Serbisë.
Lidhur me këtë është njoftuar prokurori i Prokurorisë Themelore në Mitrovicë dhe me autorizim të tij janë iniciuar dy raste “Kalim i paautorizuar i vijës kufitare apo vendkalimeve kufitare” dhe ”kontrabandim me mall".
“Malli dhe automjetet janë sekuestruar dhe janë dërguar në terminal doganor, ndërsa me vendim të prokurorit kompetent dy personat e dyshuar janë dërguar në mbajtje për procedura të mëtejme ligjore”, thuhet në njoftimin e policisë.