Agim Sulaj
14 Qershor 2023•Përditësim: 15 Qershor 2023
Policia e Kosovës ka mbajtur konferencë të jashtëzakonshme në Prishtinë lidhur me dyshimet për kidnapimin e tre zyrtarëve policorë nga forcat serbe në territorin e Republikës së Kosovës, raporton Anadolu.
Zëdhënësi i Policisë së Kosovës, Baki Kelani, duke folur për këtë rast tha se “ka ndodhur një kidnapim klasik nga forcat serbe”.
“Njësia Policore Patrulluese e kufirit, ka qenë me detyrë zyrtare në pikë statike në vendin e quajtur Tresave/Bare thellë brenda në territorin e Republikës së Kosovës. Të njëjtit kanë qenë duke kryer detyrat e tyre zyrtare që të parandalojnë kalimet ilegale, që të parandalojnë grupet kriminale që të shfrytëzojnë rrugët ilegale në atë pjesë, që të parandalojnë grupet kriminale që të kontrabandojnë dhe të fusin mallra të ndryshme në Kosovë, përfshirë edhe dyshimet për armatim në atë pjesë”, theksoi Kelani.
Ai tha se tre policët që ishin në detyrë në pikë statike, kishin njoftuar bazën se kanë vërejtur persona të maskuar dhe armatosur, por pasi ekipet shtesë të Policisë shkuan në vendin e ngjarjes, e gjetën veturën e policisë por jo edhe zyrtarët policorë patrollues aty.
Kelani deklaroi se kidnapimet e tilla forcat serbe i kanë përdorur edhe në të kaluarën si metodë për mbrojtjen e kriminelëve.
“Kidnapimet e tilla klasike forcat serbe janë duke i përdorur në mënyrë që t’i mbrojnë kriminelët të cilët janë të kërkuar nga Policia e Kosovës, të cilët janë të përfshirë në vepra të ndryshme kriminale dhe kanë thyer rendin Kushtetues të Republikës së Kosovës dhe të cilët kanë rrezikuar zyrtarët e njësiteve të KFOR-it, por edhe zyrtarë të cilët janë në mbrojtje ndërkombëtare”, theksoi tutje Kelani.
Tutje, zëdhënësi i Policisë tha se për këtë rast është njoftuar me kohë edhe Misioni i NATO-s në Kosovë (KFOR) me të cilin Policia e Kosovës po koordinon të gjitha aktivitetet, duke përfshirë ekzaminimet në terren.
Kelani tha se Policia e Kosovës për rreth dy vjet është duke e mbikëqyrur këtë pjesë të veriut të banuar me shumicë serbe, ku edhe ka mbyllur disa rrugë ilegale të cilat janë përdorur nga kriminelët për të operuar në këtë pjesë.
Për rastin reagoi së fundmi edhe presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, e cila tha se me kidnapimin e tre zyrtarëve policorë brenda territorit të Kosovës, Serbia tregon se nuk është e interesuar për paqe dhe stabilitet, por për destabilizim të Kosovës dhe gjithë rajonit.
“Akti i sotëm dëshmon se Serbia vazhdon të veprojë me logjikën e së kaluarës, tendencat hegjemoniste të së cilës kanë shkaktuar krime të tmerrshme dhe shumë viktima”, shkroi ajo, duke shtuar se zyrtarët policorë duhet të lirohen menjëherë dhe pa asnjë kusht.