Abdula Berisha
26 Nëntor 2019•Përditësim: 27 Nëntor 2019
Ministri i Punëve të Jashtme i Republikës së Greqisë, Nikos Dendias, po qëndron në vizitë pune në Republikën e Maqedonisë së Veriut, ku është pritur nga homologu i tij, Nikolla Dimitrov, raporton Anadolu Agency (AA).
Ministrat e Jashtëm të të dyja vendeve mbajtën dakim dypalësh, pas çka u mbajt edhe takim i delegacioneve.
Në konferencën e përbashkët për media, ministri Dimitrov tha se në takim është biseduar për "epokën e re" të marrëdhënieve mes dy shteteve pas nënshkrimit të Marrëveshjes së Prespës, me të cilën u zgjidh kontesti i emrit.
"Ne theksuam nevojën për të respektuar frymën dhe tekstin e marrëveshjes dhe nënvizuam se zbatimi thelbësor dhe në kohë i angazhimeve të ndërmarra është thelbësor për zhvillimin e marrëdhënieve të përgjithshme midis dy vendeve, por diskutuam edhe për shumë çështje të tjera si mbajtja e seancës së parë të komisionit të ekspertëve të markave tregtare si dhe mbajtja sa më shpejtë të jetë e mundur e mbledhjes së parë të ekspertëve për hapjen e vendkalimeve të reja kufitare", tha Dimitrov.
Ai theksoi se Greqia është një partner i rëndësishëm strategjik dhe mik i Maqedonisë së Veriut, duke shtuar se Marrëveshja e Prespës ka hapur një potencial të madh i cili duhet të shfrytëzohet.
Duke theksuar se kjo është vizita e tij e parë në Republikën e Maqedonisë së Veriut, ministri Dendias tha se shpreson që vendi së shpejti do të fillojë bisedimet për anëtarësim me Bashkimin Evropian (BE), për çka u shpreh se ka mbështetjen e plotë të Greqisë.
"Theksoj edhe një herë se pranimi i Maqedonisë së Veriut në BE si dhe vendeve tjera të Ballkanit Perëndimor është një përfitim i ndërsjellë, një qëllim i përbashkët, me qëllim kthimin e rajonit në një realitet të ri që do të mbështetet në vlerat evropiane. Në këtë kontekst, fillimi i bisedimeve për anëtarësim është një hap i rëndësishëm për tërësinë evropiane të Ballkanit Perëndimor", tha Dendias.
Ai potencoi se ka ftuar ministrat e Jashtëm të Maqedonisë së Veriut dhe Shqipërisë në drekën joformale të Këshillit të ministrave të Jashtëm të vendeve anëtare të BE-së, takim i cili do të mbahet në Bruksel.
Përpos me homologun e tij, ministri i Jashtëm grek është takuar edhe me presidentin e shtetit, Stevo Pendarovski ndërsa është paralajmëruar edhe takim me kryeministrin Zoran Zaev.