Fatjon Cuka
11 Shtator 2021•Përditësim: 12 Shtator 2021
Presidenti i Shqipërisë, Ilir Meta, ka shpallur dekretin për emërimin e kryeministrit aktual Edi Rama, si Kryeministër i Republikës së Shqipërisë, duke filluar edhe procedura zyrtare e krijimit të qeverisë së re, transmeton Anadolu Agency (AA).
Zyra e Shtypit e Presidencës së Shqipërisë ka njoftuar se presidenti Meta ka dekretuar emërimin e Edi Ramës Kryeministër i Republikës së Shqipërisë.
Përbërja e qeverisë së re do të votohet në Kuvendin e Shqipërisë dhe para fillimit të detyrës, kryeministri, zëvendëskryeministri dhe ministrat betohen para Presidentit Ilir Meta.
Kujtojmë se legjislatura e re e Kuvendit të Shqipërisë e dalë nga zgjedhjet e 25 prillit të këtij viti, filloi punimet më 10 shtator me seancën e konstituimit dhe me zgjedhjen e kryetares së re të Kuvendit, Lindita Nikolla.
Në ditët në vazhdim do të caktohet seanca parlamentare për prezantimin e programit të Këshillit të Ministrave të Shqipërisë dhe për votimin e përbërjes së qeverisë së re.
Fituese e zgjedhjeve të 25 prillit rezultoi Partia Socialiste e Shqipërisë, e drejtuar nga kryeministri Edi Rama, e cila ka siguruar mandatin e tretë qeverisës, duke fituar 74 mandate nga 140 deputetë që ka Kuvendi i Shqipërisë.
Në vend të dytë u rendit koalicioni i udhëhequr nga partia më e madhe opozitare, Partia Demokratike e Shqipërisë (PD), duke fituar 59 mandate. Partia tjetër opozitare, Lëvizja Socialiste për Integrim (LSI), fitoi 4 mandate, ndërkohë, 3 mandate i ka fituar edhe Partia Socialdemokrate (PSD), e cila ka konkurruar më vete.