Agim Sulaj
20 Korrik 2023•Përditësim: 21 Korrik 2023
Është hapur në qendër të kryeqytetit kosovar, Prishtinës, panairi me produkte të grave në agrobiznes, raporton Anadolu.
Në panairin e organizuar nga EcoKosWomen gra nga vende të ndryshme të Kosovës u mblodhën në një tendë në sheshin “Zahir Pajaziti” për të promovuar produkte të ndryshme ushqimore bio.
Me moton “Nga ne për ju”, gratë për dy ditë do të ekspozojnë produkte të ndryshme për shijim dhe shitje.
Qytetarët që kalojnë në shesh kanë rastin të provojnë disa nga këto produkte dhe ushqime që janë nga gatimet tradicionale, mjalti, produkte higjienike bio, e deri tek pemët dhe perimet e ndryshme si domate, tranguj, speca, boronica, mana, e të tjerë
Në hapjen e panairit morën pjesë përfaqësues të Ministrisë së Bujqësisë, nga Komuna e Prishtinës, donatorë ndërkombëtarë si dhe shoqatat nacionale nga fusha e bujqësisë.
Zëvendësministri i Bujqësisë, Imri Demelezi, tha se si ministri e Bujqësisë e konsiderojnë shumë të rëndësishëm rolin e gruas në shoqëri, ku dhe në këtë aspekt “kemi marrë shumë hapa në promovimin e rolit të gruas sidomos në biznese”.
Ai tha se në ministria punon në veçanti në forcimin e gruas në sektorin agro-ushqimor, për shkak të peshës që ka ajo në zhvillimin ekonomiko-social të vendit.
“Andaj, si ministri përmes programeve dhe strategjive të zhvilluara gjithmonë mundohemi t’i japim një rol të caktuar edhe grave tona. Në programin e fundit të vitit 2022 prej numrit total të fermerëve, 145 gra kanë fituar grante në sektorin e zhvillimit rural”, theksoi Demelezi.
Në panairin që do të zgjasë dy ditë do të ekspozohen rreth 25 agrobiznese të udhëhequra nga gratë.