Agim Sulaj
20 Korrik 2023•Përditësim: 21 Korrik 2023
Në Dhomat e Specializuara të Kosovës me seli në Hagë ka përfunduar dëshminë e tij edhe dëshmitari i 15-të i Zyrës së Prokurorit të Specializuar, në gjykimin ndaj ish-pjesëtarëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK), Thaçit dhe të tjerëve, transmeton Anadolu.
Ekipet mbrojtëse të ish-krerëve të UÇK-së kanë vendosur të mos parashtrojnë kundërpyetje për dëshmitarin e 15-të. Për këtë çështje, avokati i Hashim Thaçit, Gregory Kehoe deklaroi se deri te ky vendim kanë ardhur si rezultat i situatës me dëshmitarin paraprak, i cili nuk i ka kuptuar pyetjet e parashtruara rreth disa dokumenteve dhe ka deklaruar se ka edhe probleme shëndetësore.
"Sa i takon kundërpyetjeve të këtij dëshmitari ne u konsultuam me njëri-tjetrin dhe bashkë me kolegët në këtë pikë asnjë nga ekipet e mbrojtjes nuk do t'i bëjë pyetje këtij dëshmitari dhe më duhet t'ju them që ky vendim u mor si rezultat e situatës së djeshme pasi pamë dëshmitarin", tha avokati Kehoe.
Megjithatë, dëshmitarit të 15-të i cili pretendon se vëllai i tij është ndaluar nga anëtarët e UÇK-së gjatë vitit 1998 në Drenoc, i ka bërë pyetje trupi gjykues, për atë se "kujt ia ka treguar këtë ngjarje". Për shkak të pushimit të verës në Gjykatën Speciale, seanca e radhës ndaj Thaçit dhe të tjerëve do të mbahet më 14 gusht.
Deri më tani në gjykimin kundër Thaçit dhe të tjerëve kanë dëshmuar 15 dëshmitarë, pothuajse të gjithë të mbrojtur, identiteti i të cilëve nuk është bërë i ditur për publikun. Nga ta, vetëm ish-komandanti i Zonës Operative të Llapit, Rrustem Mustafa dhe një oficer britanik kanë dëshmuar hapur para publikut.
Lidhur me rastin e Thaçit dhe të tjerëve, ZPS-ja konfirmoi se janë mbi 300 dëshmitarë.
Aktakuza ndaj ish-pjesëtarëve të UÇK-së, Thaçit dhe të tjerëve, është konfirmuar më 26 tetor të vitit 2020 nga Gjykata Speciale në Hagë.
Sipas aktakuzës, krimet e paraqitura në të u kryen më së paku prej marsit 1998 deri në shtator 1999 në disa vendndodhje në Kosovë, si edhe në Kukës dhe Cahan, në veri të Shqipërisë. Pretendohet se këto krime u kryen nga anëtarë të UÇK-së kundër qindra civilëve dhe personave që nuk merrnin pjesë në luftime.
Në aktakuzë pretendohet se ish-pjesëtarët e UÇK-së, Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Rexhep Selimi dhe Jakup Krasniqi kanë përgjegjësi penale individuale për krime që u kryen në kontekstin e një konflikti të armatosur jondërkombëtar në Kosovë dhe ishin pjesë e një sulmi gjerësisht të përhapur dhe sistematik kundër personave që dyshoheshin se ishin kundër UÇK-së.